Follow us on:

Ambasadori Kullashi mbajti një ligjëratë me temën

Paris, 13 Janar 2015 - Ambasadori Kullashi, i ftuar nga Kryetarja e qendrës “Richelieu-Senghor”, Anne-Marie Cordelle, mbajti një ligjëratë, në Senatin e Francës, në temën “Kosova dhe kultura frankofone”.

Në këtë tubim ishin të ftuar afro 100 personalitete politike, diplomatike, intelektualë të shquar dhe hulumtues të kulturësfrankofone.

Ishte e pranishme edhe Këshilltarja e Sekretares së re të përgjithshme të Frankofonisë (OIF), zonja Régine Lavoie, Ambasdori i Senegalit, etj.

Sipas praktikës së qendrës “Richelieu-Senghor”, mysafiri i ftuar i emërtoi më parëgjashtë tavolina me emra karakteristike për vendin e tij.

Z. Kullashi zgjodhi këto emra, që figuruan në tavolina: Prekazi si simbol i rezistencës shumëvjeçare, Rugova si regjion i Kosovës që lidhet edhe me emrin e Ibrahim Rugovës, Ali Podrimja, poet i madh, poezitë e të cilit patën jehonë në Francë, Anton Ceta, si përkthyes i tregimeve të Maupasaan-it, Nexhmije Pagarusha sikëngëtare e shquar dhe Daut Berisha si piktor që veproi e krijoi në Paris.

Tubimi nisi n’ora 19,30 dhe përfundoi n’ora 23,30.

Së pari Kryetarja Cordelle bëri prezantimin e portretit të mysafirit të ftuar, këtë herë Ambasadorit Kullashi : ajo  u ndal te rrugëtimi profesional-universitar, te angazhimet politike, nga vitet 70 deri më sot, dhe te aktiviteti diplomatik, në gjashtë vitet e fundit.

Ajo vuri në pah se shumica e veprave të z. Kullashit të botuara në Francë apo në Kosovë (dhe në Kroaci) kanë të bëjnë me mendimin filozofik e politik të filozofëve francez (Diderot, Sartre, Lefebvre, Levinas, Foucault, etj.), sikurse edhe veprat e përkthyera (nëntë vepra të filozofëve francez).

Ajo zuri në gojë veprimtarin filozofike të z. Kullashit në Francë, botimet në më se 20 vepra të përbashkëta me autorë francez, pjesëmarrjen në një numër të madh të tubimeve shkencore (në Paris, Romë, Bruksel, Montreal, Buenos Aires, Montevideo, Istambul, Tunis etj.) si dhe për aktivitetet diplomatike nga viti 2008.

Më pastaj ajo i dha fjalën Ambasadorit Kullashi.

Në ligjëratën që zgjati 40 minuta, Muhamedin Kullashi zhvilloi një analizë të pranisë së kulturës frankofone te shqiptarët e Kosovës, duke filluar nga autorët shqiptarë (që nga fundi i shekullit XIX) që kanë ndikuar në formimin e brezave, në veçanti pas Luftës së dytë botërore (Vëllezërit Frashëri, Vaso Pashë Shkodrani, Cajupi, Asdreni, Ndre-Mjeda, Faik Konica,Noli etj.).

Më pastaj, z. Kullashi foli për praninë e gjuhës dhe letërsisë frankofone në shkollat dhe fakultetet e Kosovës, që nga viti 1945, për veprimtarinë e përkthimit të autorëve francez (në letërsi, shkenca shoqërore, filozofi), duke cituar veprat konkrete dhe autorët kosovarë që i përkthyen  ato.

Më pastaj ai i bëri një vështrim të veprimtarisë botuese të autorëve kosovar (në Kosovë dhe në botën e jashtme), mori në shqyrtim lëmenjtë shkencor në të cilin ata shkruan dhe frymëzimin nga letërsia dhe shkencat shoqërore frankofone.

Në pjesën e fundit të ligjëratës Kullashi foli për ndikimin e mendimit filozofik francez, nga periudha e modernitetit (Descartes, Diderot, Rousseau etj.) dhe nga bashkëkohësia (Sartrei, Levebvrei, Foucault etj.) që ndikuan në formësimin dhe shkrimet e tij.

Në veçanti ai ceku se në librin e tij të fundit “Politika, lufta dhe diplomacia”, në vend të veçant i kushtoi analizës së aktiviteteve dhe shkrimeve politike të Richelieu-së, Kryemnistër i Luigjit XIII, e sidomos luciditetit të tij largpamës, për domosdonë e ndarjes së shtetit nga kishat dhe të politikës nga feja.

Pas ligjëratës, u zhvillua një debat dhe pjesëmarrësit i bënë Ambasadorit Kullashi një varg pyetjesh.

Në komentet e para, veprimtarët e qendrës “Richelieu-Senghor” shfaqën habinë e këndshme për prani të rëndësishme të kulturës frankofone te shqiptarët e Ballkanit dhe në Kosovë.

Pjesa tjetër e pyetjeve kishte të bëjë me procesin e pavarësimit të Kosovës, në kontekst të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, me rolin e NATOS, me rolin e Francës, me raportet Kosovë-Sërbi, në periudha të ndryshme, raportet e Kosovës me BE-në etj.