Follow us on:
Skender Xhakaliu Ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë

Më 19 qershor të vitit 2012,  Skender Xhakaliu i dorëzoi letrat kredenciale të akreditimit si ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën federale të Gjermanisë, presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë, Joachim Gauck.

I lindur më 21 mars të vitit  1968, Skender Xhakaliu ka studiuar ekonomi dhe menaxhim të shëndetësisë, ndër të tjera në Prishtinë, Gjermani dhe Britani të Madhe. Aktualisht ai është duke përfunduar një diplomë master në Administrim biznesi (MBA) në Universitetin e Sheffield.

Në vitet 1992-2000 dhe 2003-2008, ai mbajti pozita të ndryshme të larta në sektorin e shëndetësisë në Gjermani dhe Britani të Madhe. Nga viti 2000 deri në vitin 2002 Xhakaliu ka punuar për organizatën humanitare "Cap Anamur", si koordinator për rajonin e Ballkanit dhe vijoi punën si asistent për politikë dhe media në Zyrën Ndërlidhëse të Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë.

Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, nga viti 2008 deri në vitin 2011 Xhakaliu kishte poste të ndryshme, si këshilltar politik i ministrit, shef i departamentit qendror dhe së fundi si sekretar i përgjithshëm. Pas shërbimit në ministri ai punoi si ekspert për mbështetjen e reformës së arsimit përmes “EU Education WAP” projekt ky i Zyrës Ndërlidhëse të Bashkimit Evropian në Prishtinë, para se t’i bashkohet shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës. Përveç gjuhës amtare shqipe, Xhakaliu flet rrjedhshëm gjermanisht, anglisht dhe serbokroatisht.

Ai është anëtar në organizatat humanitare Cap Anamur, Ärzte ohne Grenzen (Mjekët pa kufij), Grünhelme dhe Kryqi i Kuq Gjerman. Për kontributin dhe angazhimin e dhënë, në ceremoninë e mbajtur e më 30 shtator 2015 në përfaqësinë e Komisionit Evropian në Berlin, ambasadori Xhakaliu u nderua me medaljen e argjendtë të Fondacionit “Mérite Européen”.

Ambasadori Xhakaliu e përfaqëson në Berlin, jo vetëm shtetin më të ri - ku më shumë se gjysma e popullsisë është më e re se 25 vjeç, por edhe një nga vendet më dinamike dhe më të larmishme në Evropë. Pas trazirave dhe luftës në fund të viteve 90 rezultoi shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 si dhe pranimi i  sovranitetit të plotë më 10 shtator 2012, ngjarje këto që shënuan fillimin  e frymës së re në mijëvjeçarin e ri.

Shteti i ri, falë vullnetit të madh ka arritur progres në të gjitha fushat: janë promovuar reforma të shumta në infrastrukturë si dhe janë vënë impulset vendimtare për një zhvillimin ekonomik drejt një ekonomie moderne të tregut. Nxitja e vazhdueshme e zhvillimin ekonomik arrihet përmes klimës së prirur për investime, normave të ulëta të taksave dhe një sistemi të thjeshtë të kontrollit. Rritja ekonomike në vitin 2011 ishte 5.5 për qind, përkundër krizës globale ekonomike dhe financiare. Një rritje prej 4-5 për qind pritet për vitin 2012.

Potenciale të rëndësishme ekonomike janë burimet e mëdha të linjitit dhe lëndëve tjera të para natyrore. Kështu Kosova mund të zhvillohej brenda një brezi, në një furnizues të energjisë dhe lëndëve të para për pjesë të mëdha të rajonit të Evropës juglindore. Edhe sektorët tjerë konsiderohen me potencial në rritje në të ardhmen si bujqësia dhe sidomos turizmi, që ofron histori të lashtë kulturore, ndër të tjera me monumente ilire, romake, bizantine dhe të të hershme-krishtere, vlera këto të cilat i atribuohen trashëgimisë botërore-UNESCO.

Ndërkohë në Kosovë është etabluar skena kulturore. Çdo vit, në muajin e verës  në Prizren mbahet festivali e filmit dokumentar, festival i cili  dhe në vitet e fundit është bërë qendër e filmit dokumentar në Evropën Juglindore.

Në aspektin politik, shteti demokratik dhe multietnik synon anëtarësimin afatgjatë në strukturat euroatlantike, për të qenë një pjesë integrale e bashkësisë ndërkombëtare. Për ambasadorin Xhakaliu dhe popullatën kosovare në tërësi, Republika federale e  Gjermanisë është partneri dhe përkrahësi më i rëndësishëm ndërkombëtarë. Prandaj, zgjerimi dhe thellimi i marrëdhënieve të mira dhe miqësore mes dy vendeve, është një nga prioritetet kryesore në mandatin e Skender Xhakaliut si Ambasador i Republikës së Kosovës në Berlin