Follow us on:

Ambasada e Kosovës në Zvicër, organizoi pritje diplomatike për 11-vjetorin e Pavarësisë

Bernë, më 15 shkurt 2019- Me trastin e 11-vjetorit të Pavarësisë, ambasada ka organizuar në Vilën Metlem në Bernë, pritjen tradicionale diplomatike për Ditën e Pavarësisë të Republikës së Kosovës, 17 shkurtin. Ambsadorja e Jashtzakonhsme dhe Fuqiplotë, Nazane Breca, në Konfederatën e Zvicrës dhe Principatën e Lihtenshtajnit, ka pritur Korin Diplomatik të akredituar në Bernë, mysafirë të veçantë dhe të shumtë nga institucionaet qeveritare zvicerane.

Në pritjen e organizuar, për urim të festës së pavarësisë së Kosovës, 17 Shkurtin, kanë ardhur ambasdorë të vendeve të ndryshme nga e gjithë bota që e kanë njohur shtetin e Kosovës, por edhe nga ato vende që ende nuk e kanë nohur, si ambasadori i Vatikanit, i Iranit, diplomatë të lartë të Izraelit, Indisë, Uruguajit etj.; si dhe ambasadorë dhe përfaqësues diplomatë nga Afrika e Jugut, Japonia, Katari, Kroacia, Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, SHBA, Austria, Gjermania, Lihtenshtajni, Peruja, Pakistani, Belgjika, Holanda, Finlanda, Luksemburgu, Cekia, etj.; ambasadorë dhe diplomatë e zyrtarë të lartë të ministrisë së jashtme të Zvicrës (DFAE/EDA) dhe dikastereve tjerë të Qeverisë zvicerane. Ishin prezentë përfaqësues të lartë të IOM-OIM (Organitzata Internacionale për Migracion) me qendër në Bernë dhe Global LiderShip me qendër në Gjenevë. Në këtë pritje solemne për Ditën e Pavarësisë, ishin ftuar edhe shumë bashkatdhetarë të shquar të diasporës sonë të madhe e të fuqishme në Zvicër, veprimtarë, bisnesmenë, afaristë, intelektualë, personalitete të shquara në jetën publike, politike, ekonomike, kulturore e sportive.
Në një ambient festiv e me shumë të pranishëm, pas pritjes së të ftuarëve, fillimit ceremonial me intonimin e himneve të Shtetit të Kosovës dhe himnin e Konfederatës së Zvicrës, Ambasorja Nazane Breca, mbajti një fjalim në gjuhën angleze dhe në gjuhën shqipe.

FJALIMI I PLOTË I AMBASADORES, NAZANE BRECA, ME RASTIN E FESTIMIT TË 17 SHKURTIT - DITËS SË PAVARËSISË TË SHTETIT TË KOSOVËS

Shkëlqesi!
Miqë, kolegë të trupit diplomatik!
Përfaqësuesë të institucioneve zvicerane!
Zonja dhe zotërinjë!
Të nderuar mysafirë!
Jam jashtëzakonisht e lumtur dhe e nderuar t’ju uroj mirëseardhje të gjithëve në këtë pritje të organizuar, me rastin e Ditës së Pavarësisë të Republikës së Kosovës, 17 Shkurti, data historike për popullin dhe shtetin e Kosovës.
Sot, Kosova po feston 11 vitet e saj të Pavarësisë. Ende mjaft e re. Ka pasur shumë përparime, por ka ende shumë për të bërë.
Të nderuar zonja dhe zotërinjë!
Objektivi kryesor i Republikës së Kosovës vazhdon të jetë anëtarësimi në Kombet e Bashkuara, NATO dhe BE.
Refuzimi i anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL ka qenë i dhimbshëm, si dhe vonesa e BE për vendimin e liberalizimit të vizave për qytetarët tanë.
Megjithatë, duhet të them se si një shtet, si një shoqëri, ne kemi bërë gjithçka që kërkohet prej nesh. Kemi përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim në INTERPOL dhe për liberalizimin e vizave. Siç mund ta dini, kosovarët vazhdojnë të jenë njerëzit më proevropianë në të gjithë Kontinentin, edhepse të vetmit pa lëvizje të lirë në zonën Shengen.
Megjithatë, deri më tani, reformat në shumë sektorë janë duke u zhvilluar: Bisedimet në Bruksel do të vazhdojnë në formatin e ri të negociatave.
Kosova po forcon sundimin e ligjit. Disa ligje në sektorin e drejtësisë janë ndryshuar dhe miratuar për të luftuar korrupsionin. Dhe e gjithë kjo, jo vetëm për shkak se ato janë kritere të vendosura nga BE, por për shkak se ato janë interesa jetike të shoqërisë sonë.
Sot, unë jam krenare të them se njerëzit e vendit tim të dashur, më në fund kanë ushtrinë e tyre. Pas 10 viteve të punës së vështirë të tranzicionit, tri projektligje që mundësuan transformimin e Forcave të Sigurisë të Kosovës në Ushtrinë e Kosovës, u votuan njëzëri nga Parlamenti i Kosovës, më 18 tetor 2018.
Një ushtri që do të sjellë paqe dhe stabilitet në rajon. Një ushtri shumë profesionale dhe multietnike. Mbi 10% përbëhet nga pjesëtarë të komuniteteve joshumicë.
Në dritën e kësaj, dua të shpreh falënderimin tonë të thellë për të gjithë aleatët tanë të NATO-s / KFOR-it në përgjithësi dhe KFOR SWISSCOY, në veçanti, që kanë qenë të pranishëm që nga tetori i vitit 1999, ku aktualisht janë të angazhuar deri në 190 burra dhe gra.
Jam e lumtur të them se Kosova dhe Zvicra kanë marrëdhënie të ngushta bilaterale. Është një nga shtetet e para në botë që e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. Kosovarët, vërtetë janë shumë mirënjohës. Zvicra konsiderohet si një nga partnerët më të rëndësishëm dhe vendet donatore të vendit tim.
Kosova dhe Zvicra kanë lidhur disa marrëveshje dypalëshe në fushën e bashkëpunimit teknik dhe financiar, drejtësisë, aviacionit civil, heqjes së taksëse së dyfishtë, transportit të udhëtarëve dhe mallrave, tregtisë dhe mbrojtjes së investimeve. Është arritur edhe marrëveshtja për pensionet dhe shpresojmë që në këtë vit të filloj zbatimi i saj.
Kohët e fundit, më 23 nëntor 2018 në Gjenevë, ministrat nga Shtetet Anëtare të EFTA dhe Kosovës, nënshkruan një Deklaratë të Përbashkët mbi Bashkëpunimin. Ky dokument me rëndësi strategjike për Republikën e Kosovës parasheh thellimin e bashkëpunimit ekonomik me EFTA-n dhe fillimin e negociatave për Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë me vendet e EFTA-s.
Gjatë vitit që lamë pas, pati edhe disa vizita dhe ngjarje të përfaqësuesve tanë të lartë të shtetit në Konfederatën zvicerane.
Të nderuar zonja dhe zotërinjë!
Para se të përfundoj fjalën time, dua të them se sipas të dhënave të mia diaspora jonë në Zvicër është mirë e integruar. Jam e lumtur për këtë fakt. Sa më e integruar është, shanset janë më të mëdha për të përfituar nga sistemi arsimor dhe për të siguruar punësim dinjitoz.
Diaspora jonë duhet të jetë krenare për origjinën e saj. Prandaj, unë vazhdimisht inkurajoj bashkatdhetarët e mi që të sigurojnë që fëmijët e tyre të ndjekin kurse dhe aktivitete në gjuhën e tyre amtare, pasi është konsideruar si një parakusht për të mësuar më mirë gjuhët dhe kulturat e tjera.
Ju falenderoj të gjithëve, që jeni bashkuar me ne në festimin e sotëm.
Ju faleminderit dhe gëzuar Ditën e Pavarësisë!