Follow us on:

Në Ambasadën e Kosovës në Bernë, u hap ekspozita “Bashkëjetesa natyrore dhe kulturore në Kosovë”

Bernë, 1 shkurt 2019 - Ambasadorja Nazane Breca, e shoqëruar nga Mustafë Xhemaili, ka marrë pjesë në këtë ekspozitë. Në fjalën e saj të hapjes ambasadorja, mes tjerash tha se ekspozita është një pasqyrim i vlerave shpirtërore të artistëve nga Kosova, të cilët kryesisht janë fëmijë të komuniteteve pakicë në Kosovë si serbë, boshnjakë, romë etj.

Ambasadorja Breca, para të pranishmëve theksoi se: “Përmes pikturave dhe fotografive artistike fëmijët nga Republika e Kosovës, kanë shprehur jetën e tyre të përbashkët, duke pasqyruar ambientin kulturor dhe natyror ku ata jetojnë. Kjo ekspozitë e artistëve, e cila gjatë janarit ishte e hapur edhe në Parlamentin Evpropian në Strasburg, u kundërshtua fuqishëm nga diplomacia serbe, pikërisht për shkak të përmbajtjes së saj. Por ajo nuk ia ka arritur qëllimit. Ekspozita u shfaq në Parlamentin Evropian dhe po vazhdon të shfaqet me shumë sukses edhe në qytet tjera të Evropës”.

E pranishme ishte edhe drejtoresha e “Swiss Foundation Ibrahim Kodra”, Maria Pacolli, e cila në fjalën e vet përshëndetëse para të pranishme tha se fotografitë dhe pikturat e ekspozuara të fëmijëve nga Kosova janë të vendosura rreth pikturës së famshme të Ibrahim Kodrës: Qyteti i Ri, e cila reflekton një frymëzim për të gjithë artistët e rinjë dhe vizitorët e kësaj ekspozite, e cila, përveç në Strasburg, Milano dhe Bernë, do të hapet edhe në disa vende të tjera nëpër Evropë si dhe në disa qytete në Kosovë.

Ambasada e Kosovës në Bernë, ekspozitën e ka hapur në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me “Swiss Foundation Ibrahim Kodra” në Lugano, e cili është përgatitur me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Mjedistit dhe Planifikimit Hapësinor, Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës. Ky project kulturor i Fondacionit Kodra, është realizuar nga pikturat dhe vizatimet e fëmijëve në Atelenë “Arti ekologjik” i Muzeut Kombëtar, nga “SOS Fshati i Fëmijëve” në Prishtinë, nga “Asociacioni Kombëtar i Autizmit” në Kosovë dhe shkollës së artit “Adem Kastrati” në Gjilan.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 8 shkurt 2019, në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë