I Ngarkuari me Punë, Mustafë Xhemaili, mori pjesë në manifestimin për nderë të Ditës Botërore të Poezisë
Cyrih, 20 mars 2016 - I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Kosovës në Bernë, Mustafë Xhemaili, mori pjesë në manifestimin letrar, të organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë në Zvicër (SHKSHZ) për nderë të Ditës Botërore të Poezisë.Manifestimi u mbajt në lokalet e Qendrën Kulturore të Kosovës në Cyrih, ku u bë përurimi i veprave: Zonja me të kuqe, roman nga autorja Majlinda Nana Rama, si dhe dy përmbledhje poezish: Në krahët e ëndrrës të autores së re Fatmire Zenelaj-Sopa dhe Muranat e muzgut të autorit Shaip Beqiri. Me këtë rast, në prani të artdashësve të ardhur nga kantone të ndryshme të Zvicrës, SHKSHZ shënoi Ditën Botërore të Poezisë. Romani Zonja me të kuqei letrares Majlinda Nana Rama, një botim i Shtëpisë Botuese Toena nga Tirana, është një roman që ka ngjallur interesim të konsiderueshëm te lexuesit, gjë të cilën e theksuan kritikët letrarë, gjatë debatit që u zhvillua.
Romansierja ndonëse e re si autore, ajo tani është bërë një emër i njohur në letrat e sotme shqipe. Ajo është fituese e disa çmimeve kombëtare dhe, kësaj radhe, kishte ardhur enkas nga Tirana për të komunikuar me lexuesit e saj në Zvicër pikërisht në ditën ndërkombëtare të poezisë. Fatmire Zenelaj-Sopa autore e dy librave me poezi, kësaj radhe promovoi librin e saj të ri Në krahët e ëndrrës, botim i Shtëpisë Botuese Naim Frashëri nga Fushë Kosova, u vlerësua për aftësinë e krijimit të vargut të qëndrueshëm, me figura e variacione të sublimuara brenda tekstit letrar. Muranat e muzgut e Shaip Beqirit, një autor i njohur në letrat shqipe bashkëkohore,u vlerësua lart duke vënë theksin se,autori është një shembull poetik nga i cila duhet të mësoj e përfitoj, sidomos gjenerata e re e poetëve. Në fund autorët u përgjigjen në pyetjet e shumta të të pranishmëve, duke krijuar kështu një atmosferë të këndshme letrare e miqësore për nderë të ditës së poezisë21 marsit,të cilën në vitin 1999UNESKO, e ka shpallur Ditë Botërore të Poezisë.