Follow us on:

Në Parlamentin e Kanadasë shënohet 18-vjetori i arritjes së refugjatëve nga Kosova

Ottavë, 13 qershor 2017 - Ambasada e Republikës së Kosovës në Ottavë, së bashku me Grupin e Miqësisë Parlamentare Kanada-Kosovë në Parlamentin Federal të Kanadasë, kanë organizuar një aktivitet për të shënuar 18-vjetorin e pranimit të refugjatëve nga Kosova në Kanada.

Në fjalën e mbajtur nga Ambasadori, Lulzim Hiseni, u theksua rëndësia që ka për Kosovën, momenti i pranimit të shtatë mijë refugjatëve nga Kosova. Më tej, ai theksoi se pritja e shkëlqyer e refugjatëve dhe kontributi i Kanadasë në çlirimin e Kosovës, në kuadër të NATO-së, përbëjnë shtyllat kryesore të marrëdhënieve të veçanta mes Republikës së Kosovës dhe Kanadasë.

Krahas Ambasadorit Hiseni, fjalën e morën dhe Kryetarja e Grupit të Miqësisë Kanada-Kosovë deputetja, Anita Vandenbeld, e cila kujtoi momentet e saj, gjatë Shpalljes së Pavarësisë në Kosovë dhe shprehu mirënjohjen e saj të thellë për pritjen që i ka bërë populli kanadez refugjatëve nga Kosova, e mbi të gjitha për shembullin e jashtëzakonshëm të integrimit që kanë dhënë refugjatët e dikurshëm, Kosovaro-Kanadez, të cilët sot përbëjnë në Kanada, një prej komuniteteve më dinamike dhe një urë e fortë që lidh dy popujt dhe vendet. Të njëjtat komente, Vandenbeld i bëri edhe në sesionin e pyetjeve në Parlamentin kanadez, me ç ‘rast u duartrokit fuqishëm nga kolegët e saj deputetë nga të gjitha partitë politike.

Në emër të Qeverisë së Kanadasë, foli Ministri për Imigracion, Refugjatë dhe Shtetësi, Ahmed Hussen, i cili në fjalën e tij falënderoi Ambasadën e Kosovës dhe Grupin e Miqësisë për organizimin dhe për rëndësinë që ka historia e pranimit të refugjatëve kosovarë në Kanada, e mbi të gjitha për suksesin që ata përfaqësojnë sot, si pjesë e identitetit të Kanadasë, duke konfirmuar se qeveria e tij do të vazhdojë të mbështesë politikën e dyerve të hapura për refugjatët.

Në këtë aktivitet patën rastin të flasin edhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për Refugjatë dhe Shtetësi, njëkohësisht dhe zëvëndëskryetar i Grupit të Miqësisë Parlamentare me Kosovën, Boris Vrzesnevskij, i cili vlerësojë lart komunitetin e diasporës për shembullin që ata përfaqësojnë.

Në këtë aktivitet për 18 vjetorin e arritjes së refugjatëve nga Kosova në Kanada, patën rastin të flasin dhe disa prej familjeve sponsorë, të cilët janë kujdesur për mbështetjen e refugjatëve dhe integrimin e tyre në jetën e re në Kanada, si dhe disa nga ish-refugjatët, të cilët sot me historitë e tyre të suksesit janë shembulli më i mirë për Kanadanë dhe Kosovën.

Në fund të këtij aktiviteti, u publikua dhe vëllimi i parë, i librit “Sure Shore” përgatitur nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Kanada, në të cilën pasqyrohen disa prej historive të suksesit të refugjatëve të dikurshëm, të cilët sot me angazhimin e tyre dhe punën e palodhur, janë imazhi më i mirë i vendit tonë.

Për të nderuar këtë aktivitet, ishin të pranishëm shumë pjesëtarë të komunitetit të diasporës, madje disa duke udhëtuar me mijëra kilometra si nga Edmontoni, Montreali, Halifaxi, Hamiltoni, Londoni, Toronto, Newfoundland dhe Labrador.

Ne vijim e gjeni vegzën e deklaratës se kryesueses te Grupit Parlamentar të miqësisë - deputetes Anita në sesionin e pyetjeve në Parlamentin Kanadez me rastin e 18 vjetorit te pranimit te refugjateve kosovar ne Kanada: https://www.youtube.com/watch?v=3jpQ5-da01g