Follow us on:

Ceremonia e parë e ngritjes së Flamurit të Republikës së Kosovës në Kanada

Ottava, 17 shkurt 2017 – Në kryeqytetin e Kanadasë, Ottava, me rastin e 9 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, është organizuar Ceremonia e Ngritjes së Flamurit , nga Ambasada e Republikës së Kosovës dhe Bashkia e Ottavës.

Në një atmosferë të ngrohtë nga prania e dhjetëra bashkë-atdhetarëve, para Bashkisë së Ottavës, Ambasadori Lulzim Hiseni is hoqëruar nga Kryetarja e Grupit të Miqësisë Parlamentare Kanada-Kosovë, deputetja znj.AnitaVandenbeld dhe nën-Kryetari I Ottavës, z.Bob Monette, kane ngritur flamurin e Kosovës, duke shënuar kështu 9 vjetorin e Pavarësisë dhe njëherit Ceremoninë e parë të tillë në Kanada. Në fjalën e tij, Ambasadori ka theksuar rëndësinë e kësaj ngjarje historike, dhe njëherit ka vlerësuar lartë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve. Më tej ai ka falenderuar Kanadanë dhe popullin e saj, për mbështetjen e palëkundur për Kosovën duke filluar nga mbështetja për ndërhyrjen humanitare të NATO-së, pranimin e shtatëmijë refugjatëve, njohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen e gjithanshme në forcimin e shtetit të ri. DeputetjaVandenbeld, para të pranishmëve rrëfeu historinë e saj përsonale, nga dita e Shpalljes së Pavarësisë, dhe me emocione të larta shfaqi ndjenjën dhe përkushtimin ndaj Kosovës dhe popullit të saj. Nën-Kryetari Monette, përcjelli mesazhet e tij dhe të Kryetarit të Ottavës z.Watson, duke shprehur mirënjohje të thellë për komunitetin e diasporës nga Kosova të cilët jetojnë në Ottavë dhe për punën e palodhur që ata bëjnë për këtë qytet. Në ceremoni ishin të pranishëm Ambasadorë nga vendet e rajonit, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kanadasë, zyrtarë tjerë nga Qeveria dhe Parlamenti, si dhe dhjetëra pjesëtar të komunitetit të diasporës të cilët jetojnë në Ottavë dhe Montreal.