Follow us on:

Ambasadori Kryeziu dorëzoi Letrat Kredenciale te Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë

Ottawa, 13 mars 2020 - Ambasadori i Republikës së Kosovës në Ottawa, z. Adriatik Kryeziu, ka dorëzuar edhe zyrtarisht letrat kredenciale pranë Guvernatorens së Përgjithshme të Kanadasë, shkëlqesisë së saj znj. Julie Payette.

Krahas ceremonisë protokollare, Ambasadori Kryeziu është pritur nga shkëlqesia e saj, Guvernatorja e Përgjithshme, znj. Payette, në rezidencën e saj protokollare në Rideau Hall, ku në një takim tête-à-tête kanë diskutuar më gjerësisht mbi marrëdhëniet e shkëlqyera që mbretërojnë mes Kanadasë dhe Kosovës.

z.Kryeziu, në emër të Presidentit, Qeverise dhe Popullit të Kosovës, ka falënderuar shkëlqesinë e saj për rolin e fuqishëm që Kanadaja ka luajtur gjatë dhe pas luftës në Kosovë, duke dhënë mbështetjen e parezervë dhe të vazhdueshme në proceset nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Republika e Kosovës.

Ndër tjera, në emër të Presidentit dhe qeverisë së Kosovës, Ambasadori Kryeziu pati rastin të ftonte znj. Payette për vizitë zyrtare në Kosovë.

Në këtë audiencë zyrtare, Ambasadori i Kosovës ishte i shoqëruar nga stafi i Ambasadës e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Toronto, si dhe nga Ambasadori Shqiptar në Kanada.

Përndryshe, Kanada është ndër vendet e para e cila e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ka të vendosura marrëdhënie diplomatike dhe vazhdon ta mbështesë Kosovën në të gjitha proceset e saj shtete formuese e integruese.