Follow us on:

Konferencë me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe ndërhyrjes humanitare të NATO-s

Ottawa, 12 Qershor 2019 - Ambasada e Republikës së Kosovës në Ottawa, në bashkëpunim me shkollën prestigjioze për Studime Ndërkombëtare NPSIA, kanë organizuar konferencën për 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, respektivisht ndërhyrjes humanitare të NATO-s si dhe rolit të Kanadasë.

Folës kryesor në konferencë ishte Dr.Lloyd Axworthy, ish-ministër i Jashtëm i Kanadasë, gjatë luftës së Kosovës, njëkohësisht arkitekt i mbështetjes kanadeze për ndërhyrjen e NATO-s si dhe pranimit të 7 mijë refugjatëve nga Kosova në Kanada.

Në fjalën e tij, Dr.Axworthy, tregoi për përkushtimin personal që ka ndaj çështjes së Kosovës si dhe peshën dhe rëndësinë që përfaqëson ky rast, në të cilin kanë triumfuar vlerat më të larta të njerëzimit dhe ku është vënë në rend të parë, siguria njerëzore.

Gjithashtu, në panel ishin të ftuar edhe akterë të 20 viteve më parë, si znj. Valerie Percival, profesoreshë e Asocuar pranë NPSIA, e cila ka punuar në dosjen e Kosovës në Ministrinë e Jashtme Kanadeze dhe më vonë ka shërbyer në Kosovë në kuadër të Grupit Ndërkombëtar të Krizave; z.James Wright, diplomat kanadez, në atë kohë, drejtor për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme Kanadeze; z. Ross Reid, Drejtor i NDI-së në Kosovë, nga viti 1999-2001; Kryetaret e Grupeve të Miqësisë Parlamentare Kosovë-Kanada, deputetet znj.Anita Vandenbeld dhe znj.Mimoza Kusari-Lila si dhe aktivistja dhe e mbijetuara e dhunës seksuale në Kosovë, znj.Vasfije Krasniqi-Goodman.

Konferenca është hapur me fjalimin e drejtorit të NPSIA, z.Teddy Sammy, i cili falenderoi Ambasadën E republikës së Kosovës për idenë dhe vuri në pah rëndësinë që ka tema e Kosovës për politikën e jashtme të Kanadasë, si histori suksesi e triumf i multilateralizmit.

Në fjalën hapëse, ambasadori Lulzim Hiseni, vlerësoi lartë rolin e Kanadasë në dy dekadat e fundit, i cili kulmoi me ndërhyrjen humanitare dhe pranimin e 7 mijë refugjatëve; ndërtimin e institucioneve, shtet-ndërtimin dhe mbështetjen aktuale të pakursyer të Kanadasë.

Në emër të Qeverisë së Kanadasë, të pranishmit i ka përshëndetur me një fjalë rasti, Kryetari i Asociacionit Parlamentar të NATO-së në Parlamentin e Kanadasë, z.Borys Wrzesnewskyj.

Nga diskutimet në panel, u nxorën shumë mësime, se çfarë ka funksionuar në rastin e Kosovës, të cilat do të mund të ndiqeshin si shembuj të mirë në angazhimet aktuale dhe të ardhshme nëpër botë; rëndësinë e ndërtimit të paqes së qëndrueshme; fuqizimin e grave dhe të rinjve në vendimarrje; angazhimin e kapaciteteve vendore në hartimin e politikave; kalimin e përgjegjësive qeverise tek autoritetet vendore; nevoja për bashkëpunim të bashkësisë ndërkombëtare si dhe rolin qëndror të multilateralizmit.

Mbi të gjitha u vlerësua roli tepër aktiv që ka luajtuar Kanadaja në luftën e Kosovës, në kuadër të NATO-së dhe organizatave tjera ndërkomëbtare, konsensusi politik për rëndësinë e veprimit për të parandaluar spastrimin etnik, deportimet dhe vrasjet masive.