Follow us on:

Krasniqi Goodman kërkon mbështetje për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë

Vancouver, 6 qershor 2019 – Vasfije Krasniqi Goodman, aktivistja dhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, po qëndron në Vancouver të Kanadasë si pjesëmarrëse dhe folëse në konferencën më të madhe globale për çështjen e grave “Women Deliver”.

Në kuadër të kësaj konference, Krasniqi Goodman ka pasur mundësinë të takohet edhe me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, të cilin e ka falenderuar për mbështetjen e pakufizuar ndaj fuqizimit të grave në mbarë botën.

Në kuadër të kësaj conference, Krasniqi Goodman është takuar dhe me ministren kanadeze për Statusin e Grave dhe Zhvillim Ndërkombëtar, znj.Maryam Monsef, nga e cila ka kërkuar mbështetjen e Kanadasë për 20 mijë viktimat e dhunës seksuale të luftës në Kosovë si dhe përfshirjen e Kosovës në Fondin Kanadez për Barazi.

Po ashtu, Krasniqi Goodman është takuar dhe me autoritete të tjera kanadeze dhe botërore, si Kryeministrin dhe Lejtnant Guvernatoren e British Columbia, Ambasadorin e Kanadasë në Kombet e Bashkuara, Sekretaren Franceze për barazi gjinore, etj.

Aktivistja dhe e mbijetuara e dhunës seksuale në luftën e Kosovës, Krasniqi-Goodman, në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën Globale “Women Deliver”, ishte e ftuar dhe si folëse kryesore në dy evente të rëndësishme.

Në panelin e organizuar nga Save the Children, “Parandalimi i dhunës seksuale në zonat e luftës” ajo ka ndarë historinë e saj dhe betejën 20-vjeçare për drejtësi. Ndërsa, sot ajo pati rastin, që me prezantimin e saj në Power Stage, të bëjë thirrje për mbështetje ndaj viktimave të dhunës seksuale në Kosovë, në njohjen e këtij krimi si dhe vendosjen e drejtësisë.