Follow us on:

Ish-presidentja Jahjaga prezanton në Kanada çështjen e grave te dhunuara gjatë luftës në Kosovë

Ottawa, 2 nëntor 2018 - Gjatë vizitës së saj në Kanada, ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, prezantoi çështjen e 20000 grave te dhunuara gjatë luftës në Kosovë, përpara Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut të Parlamentit Kanadez.

Në fjalën e saj ish-Presidentja Jahjaga prezantoi dhe çështjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, të Drejtat e Komuniteteve dhe Grupeve të Margjinalizuara. Ajo theksoi se si Kushtetuta e Republikës së Kosovës është një ndër më modernet në rajon, jo vetem për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, por dhe grupeve të margjinalizuara.

Ndërkohë, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada, z.Lulzim Hiseni, në fjalën e tij përpara këtij komisioni tregoi për progresin që është bërë në Kosovë për të Drejtat e Njeriut dhe njëkohësisht njoftoi Parlamentin Kanadez për Personat e Pagjetur për të cilët Serbia nuk po bashkëpunon me autoritetet përkatëse, si dhe për fushatën e fundit të Serbisë për të dekurajuar serbët në Kosovë për të mos i’u bashkuar Forcës së Sigurisë.

Në kuadër të takimeve në Parlamentin Kanadez, ish-Presidentja Jahjaga u takua gjithashtu me kryesuesen e Grupit të Grave Deputete të Parlamentit të Kanadasë, znj. Iqra Khalid, ku ndër të tjera kërkoi ndihmën e saj, por dhe të gjithë grave deputete të Parlamentit Kanadez që të bëhen një zë i fortë për të njohur ndërkombëtarisht dhunën seksuale si mjet lufte të ushtruar ndaj 20000 grave në Kosovë.