Follow us on:

Ceremonia e parë e ngritjes së Flamurit të Republikës së Kosovës në Kanada

Ottawa, 17 shkurt 2017 - Në kryeqytetin e Kanadasë, Ottawa, me rastin e 9 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, është organizuar Ceremonia e Ngritjes së Flamurit nga Ambasada e Republikës së Kosovës dhe Bashkia e Ottawa-s.

Në një atmosferë të ngrohtë nga prania e dhjetëra bashkë-atdhetarëve, para Bashkisë së Ottawa-s, ambasadori Lulzim Hiseni i shoqëruar nga Kryetarja e Grupit të Miqësisë Parlamentare Kanada-Kosovë, deputetja znj.Anita Vandenbeld dhe nënkryetari i Ottawa-s, z.Bob Monette, kane ngritur flamurin e Kosovës, duke shënuar kështu 9 vjetorin e Pavarësisë dhe njëherit Ceremoninë e parë të tillë në Kanada.

Në fjalën e tij, ambasadori Hiseni ka theksuar rëndësinë e kësaj ngjarje historike, dhe njëherit ka vlerësuar lartë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.

Më tej ai ka falenderuar Kanadanë dhe popullin e saj, për mbështetjen e palëkundur për Kosovën duke filluar nga mbështetja për ndërhyrjen humanitare të NATO-s, pranimin e shtatë mijë refugjatëve, njohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen e gjithanshme në forcimin e shtetit të ri.

Nga ana e saj, deputetja Vandenbeld rrëfeu historinë e saj përsonale nga dita e Shpalljes së Pavarësisë, dhe me emocione të larta shfaqi ndjenjën dhe përkushtimin ndaj Kosovës dhe popullit të saj.

Edhe nënkryetari Monette, përcjelli mesazhet e tij dhe të Kryetarit të Ottawa-s, z.Watson, duke shprehur mirënjohje të thellë për komunitetin e diasporës nga Kosova të cilët jetojnë në kryeqytetin kanadez dhe punën e palodhur që ky komunitet bën për këtë qytet.

Në ceremoni ishin të pranishëm edhe ambasadorë nga vendet e rajonit, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kanadasë dhe zyrtarë tjerë nga Qeveria dhe Parlamenti.