Follow us on:

Pjesëmarrje në shfaqjet e trupës së baletit kombëtar të Republikës së Kosovës në festivalin ndërkombëtar në Pravets

Sofje, 18 korrik 2017 - Ambasadori i Republikës së Kosovës, Shpend Kallaba dhe Ministri-Këshilltar, Delfin Pllana, morën pjesë në ditën e parafundit të festivalit të XIII-të ndërkombëtar “Festivali i Mozartit”, ku trupa e baletit kombëtar të Republikës së Kosovës dha shfaqjet “Xhulijeta pa Romeon” dhe “Dasma”.

Drejtori artistik i trupës së baletit, Ahmet Brahimaj u shpreh mirënjohës për angazhimin dhe fasilitimin që ka bërë Ambasada e Republikës së Kosovës në Sofje, në vecanti për bashkëpunimin me koreografen bullgare primadonën, Sylvia Tomova, e cila e ka mbështet trupën e baletit nga Republika e Kosovës në vitet e fundit, ku falë përkrahjes së saj trupa e baletit nga Republika e Kosovës mori pjesë në këtë festival.

Ambasadori Kallaba u shpreh i gatshëm që të vazhdojë përkrahjen për këto aktivitete duke u shprehur i lumtur me performancën e shkëlqyeshme të trupës së baletit nga Republika e Kosovës. Shfaqjet e trupës së baletit nga Kosova u përcollën dhe u vlerësuan lartë nga një audiencë jashtëzakonisht e madhe, si dhe ato u shfaqën drejtpërdrejt në dy televizione nacionale bullgare. Ambasadori Kallaba dha një intervistë të shkurtë për televizionin nacional bullgar BNT duke vlerësuar lartë performancën e trupës së baletit nga Republika e Kosovës. Në fund drejtori artistik Brahimaj i dha mirënjohje koreografes primadona Sylvia Tomova për kontributin e dhënë në avansimin profesional të trupës së baletit të Republikës së Kosovës.