Follow us on:

Zëvendëskryeministri Pacolli fton kompaninë e njohur Paul Wurth S.A. për investim në Kosovë

Luksemburg, 8 qershor 2018 - Në kuadër të vizitës në Luksemburg, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli, ka takuar z. Thomas Hansmann, Drejtor i Teknologjisë dhe anëtar i Bordit Menaxhues i kompanisë Paul Wurth S.A.

Kompania Wurth vepron në shumë fusha, ndërsa temë kryesore e diskutimit ishte bashkëpunimi në fushën e energjisë. Në prezentimin e tij, z. Hansmann sqaroi teknologjinë e avancuar dhe standardet që përdoren nga kompania në fjalë për të prodhuar energji ose ngrohje dhe ftohje nga biomasa dhe mbeturinat. Kjo teknologji adreson ndotjen dhe emitimin e gazrave CO2 sipas kërkesave të Bashkimit Evropian.


Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri Pacolli ka thënë që mbeturinat mbeten problematikë në Kosovë. Qeveria e Kosovës është duke punuar në zgjidhjen e këtij problemi dhe do të mirëpriste interesimin e kompanive serioze si ajo Paul Wurth S.A. Më tej, Ministri Pacolli përmendi reformat e bëra për lehtësim të të bërit biznes në Kosovë, jo vetëm për kompanitë vendore por edhe ato të huaja të interesuara për investime direkte.


Në fund të takimit, Ministri Pacolli ftoi përfaqësuesit e Paul Wurth S.A., që të vizitojnë Kosovën.