Follow us on:

Ambasadori Nikaj takoi Paul Magnette, Ministër-President i Valonisë

Namur, 15 qershor 2017 – Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj takoi Ministrin-President të Qeverisë së Valonisë, Paul Magnette, takim ky me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dypalësh në arsim, kulturë dhe ekonomi.

Ambasadori Nikaj shprehu konsideratë të lartë për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj Kosovës në njohjen e Kosovës shtet nga ditët e para të shpalljes së pavarësisë, krijim të institucioneve demokratike, dhe në integrim evropian. Pas konsolidimit institucional, Republika e Kosovës është e interesuar për zhvillim ekonomik dhe shtetet mike kanë rëndësi të madhe. Për këtë, ambasadori Nikaj propozoi rritjen e bashkëpunimit ekonomik përmes nënshkrimit të një marrëveshje për bashkëpunim mes Kosovës dhe Valonisë, organizimit të një forumi ekonomik, dhe bashkëpunim mes universiteteve. Pas binjakëzimit, tashmë ekziston bashkëpunimi mes Komunës së Namurit dhe Prishtinës.

Më tej, ambasadori Nikaj vlerësoi lartë diasporën kosovare në Namur e cila është e integruar dhe pjesëmarrëse aktive në jetën politike dhe ekonomike të Valonisë.

Ministri-President, Magnette shprehu gatishmërinë për rritje të bashkëpunimit duke nënvizuar se ky bashkëpunim mund të nisë me angazhimin e diasporës kosovare dhe institucioneve ekonomike si AWEX. Magnette shprehu interesim për zhvillimet politike në Kosovë.

Në takim u dakordua për bashkërendim të veprimeve. Sektorët me interesim dypalësh u veçuan agrikultura dhe teknologjia e informacionit dhe komunikimit.

Në takim ambasadori Nikaj u shoqërua nga sekretari i parë, Valdrin Grainca, ndërsa Ministri-President Magnette nga Barbara Boutriau.