Follow us on:

Ambasadorja Mimoza Ahmetaj shpërblehet me çmimin “Flaka e Paqes”

Bruksel, 4 shkurt 2016 - Sot në Bruksel, në një ceremoni të organizuar nga Asociacioni për Avancim të Paqes, nën udhëheqjen e Arqidukes Herta Margarete von Habsburg nga Austria, u dekorua me çmimin “Flaka e Paqes” (Flame of Peace), Ambasadorja e Kosovës në Bruksel, Mimoza Ahmetaj.

Çmimi “Flaka e Paqes” u jepet personaliteteve për rolin aktiv në shoqëritë e tyre, e që në rastin e Kosovës, nënkupton bashkëpunimi drejt themelimit të shtetit demokratik, nënshkrimi i MSA-së, hapja e rrugës drejt integrimeve evropiane dhe të tjera. Ky çmim është simbol i paqes globale dhe na përkujton në obligimin tonë për të qenë më aktiv në paqe përmes fjalëve dhe veprimeve. Në ceremoninë e njëjtë dhe me çmimin e njëjte, janë shpërblyer edhe ish kryetari i Këshillit Evropian Herman Van Rompuy, njëherësh edhe ish Kryeministër i Belgjikës, ambasadorja e SHBA-ve pranë Belgjikës Denise Bauer, dhe ambasadori Slloven Matjaz Shinkovec. Më parë, ky çmim ju është ndarë edhe personaliteteve si Lech Walesa (Poloni), Adolf Ogi (ish President i Federatës Zvicerave), Princi Laurent i Belgjikës, etj. Gjatë pranimit të çmimit, në fjalën e rastit, ambasadorja Ahmetaj tha se “në rrugëtimin tim të shkurtë, që nga çlirimi i vendit tim kam pasur privilegjin të shoh lindjen dhe ndërtimin e vendit tim, si dhe momentin më të rëndësishëm që nga shpallja e pavarësisë, nënshkrimin e marrëveshjes së para kontraktuale me Bashkimin Evropian, gjë e cila e ka vulosur rrugën e Kosovës drejt BE-së”.

Ajo ka shtuar se “Kosova ka bërë hapat e parë në rrugën e saj të gjatë drejt integrimeve evropiane, por ka ende shumë punë për të bërë. Institucionet e Kosovës kanë për qëllim ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse me diversitetin e saj religjioz, kulturor me qëllimin e ndërtimit të një shoqërie që në bazë ka rendin dhe ligjin. Në kaq vite të pavarësisë kemi bërë ndryshime që kanë prekë jetët e qytetarëve, mendoni sa shumë ndryshime do të ketë deri në kohën kur Kosova do të jetë antare e barabartë e BE-së” . Ambasadorja Ahmetaj në fund të fjalimit të saj falendëroi të gjithë të pranishmit si dhe të gjitha institucionet dhe shtetet që e kanë ndihmuar Kosovën aty ku është sot.