Follow us on:

Republika e Kosovës dhe Ishujt Solomon nënshkruajnë Komunikatën e Përbashkët për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike

Honiara, 28 prill 2015 - Ambasadori i Republikës së Kosovës në Australi Sabri Kiqmari dhe ministri i jashtëm i Ishujve Solomon, George Milner Tozaka kanë nënshkruar Komunikatën e Përbashkët për fillimin e marrëdhënieve diplomatike në mes të Republikës së Kosovës dhe Ishujve Solomon.

Akti i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike është nënkshruar gjatë vizitës zyrtare të ambasadorit Kiqmari në kryeqytetin e Ishujve Solomon. Në Komunikatën e Përbashkët thuhet se “me qëllim të promovimit të miqësisë dhe bashkëpunimit në mes të dy vendeve në fushën politike, ekonomike dhe kulturore, mbi bazën e barazisë, respektit të ndërsjellë për pavarësinë dhe sovranitetin, bazuar në principet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, të bindur se krijimi i marrëdhënieve diplomatike është në interes të të dy vendeve, të dy shtetet vendosin të lidhin marrëdhënie diplomatike mes vete në ditën e nënshkrimit, pra më 28.04.2015”.

Në fjalën e tij ministri Tozaka deklaroi se “me ditën e sotme fillon një etapë e re në marrëdhëniet në mes të dy vendeve duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë”. Ndwrsa ambasadori Kiqmari pasi e ka falënderuar ministrin e jashtëm Tozaka për njohjen e Republikës së Kosovës vitin e kaluar, ka deklaruar se “nënshkrimi i Komunikatës së Përbashkët dëshmon për një raport të ngushtë miqësie që po krijohet në mes të dy vendeve, i cili do të jetë bazë e bashkëpunimit në fushat me interes të dyanshëm”.

Gjatë ditës Ambasadori Kiqmari ka takuar edhe zyrtarë të tjerë të Ishujve Solomon, si sekretarin e shtetit në MPJ, sekretarin e shtetit për industri, sekretarin e shtetit për arsim, kurse nesër pritet të vizitojë Universitetin Nacional në Honiara dhe Shkollën e Mesme “King George VI”.