Follow us on:

Ambasadori Kiqmari akreditohet si Ambasador Jorezident i Republikës së Kosovës në Zelandën e Re

Wellington, 10 nëntor 2014 - Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Pallatin Qeveritar, selinë e Guvernatorit të Përgjithshëm të Zelandës së Re në Wellington, Ambasadori i Republikës së Kosovës Dr. Sabri Kiqmari i ka dorëzuar Letrat Kredenciale Guvernatorit të Përgjithshëm të Zelandës së Re, SHT Sir Jerry Mateparae.

Ceremonia e akreditimit përbëhej nga tri pjesë kryesore: procedura tradicionale e mirëseardhjes nga reprezentues të popullsisë indigjene Maori, rivistë trupave të Gardës Nacionale të Zelandës së Re dhe dorëzimin e Letrave Kredenciale Guvernatorit të Përgjithshëm të Zelandës së Re, SHT Sir Jerry Mateparae, përmes të cilave presidentja e Republikës së Kosovës, SHS z. Atifete Jahjaga e emëron Ambasadorin Kiqmari si Ambasador jorezident në Zelandën e Re.

Në fjalën e tij para Guvernatorit të Përgjithshëm dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Zelandës së Re, Ambasadori Kiqmari, pasi i ka përcjellur përshëndetjet e Presidentes Jahjaga për  Guvernatorin e Përgjithshëm Mateparae, ka deklaruar se “para më shumë se gjashtë vitesh përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve të Kosovës kanë shpallur Republikën e Kosovës, e cila reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Pavarësia e Kosovës është bërë një faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon. Në rrafshin kulturor, gjeografik dhe historik Kosova është pjesë përbërëse e Evropës dhe po punon intensivisht për integrim në Bashkimin Evropian dhe NATO.”

Ambasadori Kiqmari e ka falënderuar Guvernatorin e Përgjithshëm Mateparae dhe Qeverinë e Zelandës së Re për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës gjatë luftës në Kosovë, sidomos duke pranuar disa qindra qytetarë të Kosovës në ditët më të vështira të vendit tonë, pastaj në integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, etj. Ambasadori Kiqmari e ka uruar Guvernatorin e Përgjithshëm për zgjedhjen e Zelandës së Re në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për vitet 2015-16.

Guvernatori i Përgjithshëm Mateparae e ka uruar Ambasadorin Kiqmari për marrjen e detyrës në Zelandën e Re. Ai ka deklaruar se “Zelanda e Re dhe Kosova edhe pse gjenden në hemisfera të ndryshme, në botën e sotme globale kjo nuk është më barrierë siç ishte dikur. Zelanda e Re dhe Kosova kanë interes në krijimin e institucioneve multilaterale dhe regjionale me qëllim të promovimit të paqes dhe prosperitetit”, duke i uruar sukses Kosovës në integrimin në BE dhe NATO dhe në krijimin e raporteve të besimit dhe miqësisë me vendet fqinje. Guvernatori i Përgjithshëm Mateparae ka deklaruar më tej se “Zelanda e Re dhe Kosova janë të dyja vende të vogla dhe relativisht të reja. Lidhjet në mes të Zelandës së Re dhe Kosovës janë vetëm disa dekada të vjetra. Në këtë kontekst ne jemi shumë krenarë për kontributin që ka dhënë Zelanda e Re për arritjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit”, duke e falënderuar Ambasadorin Kiqmari për shfaqjen e  respektit për këtë kontribut. Ai ka nënvizuar më pas se “në vitin 1999 kanë ardhur 410 refugjatë nga Kosova në Zelandën e Re dhe e kanë filluar jetën e tyre të re. Ata janë bërë qytetarë të mirë të Zelandës dhe janë shndërruar në një urë miqësie që na lidh mes vete.”

Gjatë qëndrimit në Zelandën e Re, Ambasadori Kiqmari ka zhvilluar takime pune edhe me Zv. Sekretarin e Shtetit të Zelandës së Re z. Bede Corry, pastaj me drejtorin e divizionit për Evropën në Ministrinë e Jashtme dhe të Tregtisë të Zelandës së Re z. Ian Hill. Takime janë mbajtur edhe me dekanen e Korit Diplomatik në Zelandën e Re, z. Carolin Chretien, Komisionere e Lartë e Kanadasë, dhe me të Ngarkuarën me Punë të SHBA-së në Zelandën e Re, z. Candy Green.