Follow us on:

U hap ekspozita e skulptorit Destan Gashi në Vjenë

Në galerinë „Johann Gassner Haus“ në Vjenë është hapur ekspozita e skulptorit të njohur nga Kosova z. Destan Gashi.

Hapjen e ekspozitës së skulptorit Gashi e bëri Ambasadori i Kosovës në Vjenë, Dr. Sabri Kiqmari, i cili foli për veprën dhe rëndësinë artistike të skulptorit Gashi. “Skulpturat e Destan Gashit janë si rezultat i një pune të palodhshme të tij, kur merret parasysh fakti që puna me gurë nuk është e lehtë. Z. Gashi përmes punimeve të tij, na ofron këtu në Vjenë anën më të bukur të artit dhe kulturës shqiptare”, shtoi në mes të tjerash Ambasador Kiqmari. Në fjalën e tij, Dr. Kiqmari, potencoi se përmes kësaj ekspozite përcjellim para opinionit publik austriak vlerat më të mira kulturore të krijuesve tanë.

Skulptori Gashi njihet në botën kulturore për punimet e tij të veçanta nga guri. Në këtë ekspozitë pos 22 skulpturave nga guri u ekspozuan edhe disa fotografi gjatë vizitave në disa qytete shqiptare, të cilat ishin realizuar nga gruaja e tij, Barbara, dhe djali i tij Guri.

 

E pranishme në këtë ekspozitë ishte edhe znj. Dr. Edith Mock, bashkëshortja e ish-zëvendës kancelarit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Austrisë, i cili njihet për kontributin e tij kundër shkeljes së drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Të pranishëm ishin edhe një numër mjaft i madh i bashkatdhetarëve tanë dhe qytetarëve austriakë.