Follow us on:

Finalizohet Marrëveshja Financiare ndërmjet Kosovës dhe Austrisë

Është finalizuar Marrëveshja për bashkëpunim Financiar në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë. Në emër të Qeverisë së Kosovës Marrëveshja është nënshkruar nga Ministri i Financave z. Bedri Hamza dhe në emër të Qeverisë austriake nga Ministrja e Financave znj. Maria Fekter.

Marrëveshja ka për qëllim që të promovojë edhe më tutje raportet dhe marrëdhëniet e afërta dhe miqësore në mes dy vendeve në përgjithësi e me theks të veçantë në zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit financiar. Ministria e Financave e Austrisë është e gatshme që në kuadër të kësaj Marrëveshjeje të mbështesë zhvillimin dhe financimin e projekteve infrastrukturore, në kuadër të programit të huave të buta të Qeverisë Austriake të ri-financuara nga Banka Austriake (OeKB), kredi këto me kushte shumë të volitshme financiare. Vlera e indikative e kornizës financiare është 20 milion euro, dhe fillimisht është e paraparë për një periudhë dy vjeçare.