Follow us on:

Delegacioni i Ambasadës së Republikës së Kosovës merr pjesë në ceremoninë e përkujtimit të viktimave të kampit të përqendrimit në Mathausen

Ambasadori Kiqmari udhëhoqi delegacionin e misionit diplomatik të Kosovës në ceremoninë e përvitshme në nderim të viktimave të nazizmit, e cila u mbajt në kompleksin memorial të ish-kampit të përqendrimit në Mathausen.

Në këtë manifestim morën pjesë edhe shumë përfaqësues të shteteve të ndryshme të botës si dhe personalitetet më të larta shtetërore të Austrisë, duke përfshirë Presidentin Federal Heinz Fischer, Kryetaren e Parlamentit Nacional Barbara Prammer, Kancelarin Werner Faymann, etj. Pas parakalimit solemn të delegacioneve shtetërore që u ftuan sipas rendit alfabetik, delegacioni i Kosovës vendosi kurora lulesh pranë varrit të heroit të panjohur si dhe vizitoi edhe pjesë të tjera të kompleksit. Prezenca e delegacioni u mirëprit dhe u vlerësua lartë nga Komiteti i Mathausen-it që, bashkë me qeverinë austriake është organizatori kryesor i  këtij manifestimi.
Kampi i përqendrimit Mathausen gjatë luftës së dytë botërore ishte shndërruar në një nga komplekset më të mëdha të kontrolluara nga nazistët gjermanë. Numri i të vdekurve mbetet i panjohur, edhe pse shumica e burimeve flasin për një numër mes 122.000 dhe 320.000, në mesin e tyre edhe shumë shqiptarë, kryesisht robër të luftës dhe kundërshtarë të regjimit nazist.
Pas përfundimit të këtij aktiviteti, Ambasadori Dr. Sabri Kiqmari bashkë me Ambasadorin e Shqipërisë në Austri Dr. Vili Minarolli dhe Ambasadorin e Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare në Vjenë Spiro Koçi vizituan aktivistët e shoqatës ’’Kosova’’ në Linz.