Follow us on:

Pritje e mësuesve në Ambasadë me rastin e 7 Marsit-Ditës së Mësuesit

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Dr. Sabri Kiqmari organizoi një pritje për mësuesit/et shqiptarë në Austri.

Vjenë, 7 mars 2012 - Në një atmosferë festive vëllazërore ku dominoi rikujtimi i aktivistëve dhe aktiviteteve që kontribuuan në hapjen e klasave me mësimin shqip. Dr. Kiqmari i uroj mësuesit për punën e tyre  të mirë me nxënësit shqiptar. ,,Unë e vlerësoj punën e juaj në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës amtare. Kjo është detyre e shenjtë dhe ne do ta përkrahim në vazhdimësi. Si gjithmonë ambasada do jetë ashtu sikurse shtëpia e juaj e hapur dhe në shërbimin e mërgimtarëve tanë, veçan njerëzve të kulturës, shkencës e artit. Ju jeni ambasadorë në afirmimin kombëtar përmes aktiviteteve kulturore e arsimore. Austria është shtet mikpritës dhe me një qëndrim korrekt ndaj mërgimtarëve tanë ku fëmijëve u sigurohet mësimi i gjuhës amtare. Urime festa e juaj dhe suksese!”-tha mes tjerash Dr. Sabri Kiqmari.
Ndërsa, rreth gjendjen dhe rrethanat e zhvillimit të mësimit plotësues në Austri u fol nga mësuesit: Hazir Mehmeti, Milaim Zyrapi, Miradije Berisha, Shefqet Gashi. Në fjalën e tij z. Osman Ademi, mësues, mes tjerash shtoi: ,,Ju falënderojmë për urimin dhe pritjen, natyrisht dhe për përkrahjen tuaj që treguat e po tregoni. Tani Ambasada e jonë është bërë shtëpi e jona ku mund të adresohemi për të gjitha hallet dhe pengesat që kemi. Ju z. Ambasador dhe stafi i juaj me prezence tuaj në shfaqjet e  programeve tona po e ngriti rëndësinë e vlerën e punës sonë, prindërve dhe nxënësve tanë. Vlerësimi i juaj i punës sonë dhe thirrja e vazhdueshme mërgimtarëve që t’i dërgojnë fëmijët në mësimin shqip ka domethënie të veçantë në ngritjen e vetëdijes së prindërve mbi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe”. 

Austria është njëra nga shtetet e rralla që mësimin e gjuhës amtare e ka brenda sistemit mësimor publik, i garantuar ashtu sikurse edhe mësimi në gjuhën e vendit. Gati të gjitha tekstet mësimore sigurohen falas nga organet vendor.