Follow us on:

Ambasadori Kiqmari mbajti ligjëratë në temën “Politika e fqinjësisë dhe e zgjerimit të Unionit Evropian dhe roli i UE-së në Kosovë”

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Dr. Sabri Kiqmari ka mbajtur një ligjëratë në Institutin për Evangjelizëm dhe Institutin “CIFE” (the programmes of the Centre international de formation européenne), në kuadër të studimeve njëvjeçare “Shtytje të reja për Evropën”.

Vjenë, 27 mars 2012 - Para një audience të madhe studentësh dhe stafit akademik të këtyre instituteve, Ambasador Kiqmari në fjalën e tij, paraqiti zhvillimet me të reja në kuadër të këtyre tri çështjeve. Në pjesën e parë të temës Ambasador Kiqmari foli për politikat fqinjësore të Unionit Evropian në raportet me vendet për rreth Unionit, duke filluar nga Bjellorusia e deri tek Maroko, duke u fokusuar më shumë në rolin e instrumenteve dhe mekanizmave të Politikës së Fqinjësisë së UE-së në raport me këto vende, si dhe ndryshimet e sistemeve të qeverisjeve në disa vende të Afrikës Veriore.
Tema e dytë ishte zgjerimi i UE-së me fokus te veçantë drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në kuadër të kësaj teme Ambasador Kiqmari foli për procesin integrues të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke paraqitur sfidat dhe kriteret për gjithsecilin shtet.
Tema e tretë e cila zgjoi interes tek studentët ishte elaborimi i angazhimit të UE-së në Kosovë që nga viti 1989 deri te zhvillimet e fundit në Kosovë. Ambasador Kiqmari foli edhe për sfidat që Kosova po ndeshet çdo ditë që nga shpallja e pavarësisë, si dhe përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për shtimin e numrit të njohjeve. Interesim të jashtëzakonshëm shfaqën studentët tek pesë vendet e BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Ligjërata e Ambasadorit Kiqmarit ngjalli interesim të madh tek studentët, çka u pa edhe në pyetjet e shumta që ata i parashtruan atij. Tematika e pyetjeve sillej jo vetëm rreth anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, por edhe rreth marrëveshjeve të fundit në mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për hapat që Kosova është duke ndërmarrë për plotësimin e kritereve për anëtarësim në UE.