Follow us on:

Ambasada e Kosovës në Austrisë shënoi Katër-Vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës

Vjenë, 17 shkurt 2012 - Me rastin e katër vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, të premten, më 17 shkurt, Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri, me ftesë të Ambasadorit Kiqmari dhe zonjës Kiqmari, organizoi pritje për Korin Diplomatik të akredituar në Austri. Në pritje morën pjesë një numër i madh përfaqësuesish të Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, përfaqësues të institucioneve shtetërore të Austrisë, ambasadorë të vendeve të ndryshme të akredituar në Austri, në selinë e OSBE-së dhe në selinë e Kombeve të Bashkuara në Vjenë. Në pritje mori pjesë edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Gashi.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin edhe përfaqësues të ndërmarrjeve austriake, udhëheqës të organizatave joqeveritare dhe një numër i bashkatdhetarëve tanë që jetojnë dhe veprojnë në Austri.

Në këtë pritje madhështore të pranishmëve iu shprehu mirëseardhje Ambasadori i Kosovës në Austri, dr. Sabri Kiqmari, i cili në fjalën e hapjes foli për rrugën e pavarësimit të Kosovës. Duke e përshkruar pavarësimin e Kosovës, si një proces të suksesshëm, Ambasador Kiqmari në mënyrë metaforike bëri një elaborim të procesit të bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë, bisedime që çuan në pavarësimin e vendit tonë, të cilat janë mbajtur po në këtë sallë, në Pallatin Auersperg në Vjenë.

Ambasador Kiqmari në fjalën e tij i informoi të pranishmit lidhur me progresin e arritur në Kosovë, si dhe për procesin e njohjes së Republikës së Kosovës. “Republika e Kosovës është njohur nga 88 shtete të ndryshme të botës dhe në këtë përvjetor të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës kërkoj nga shtetet të cilat akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë gjë, e cila është në të mirë të stabilitet të vendit dhe rajonit, si dhe vullnet i shumicës së qytetarëve të Kosovës”.

Në fjalën e tij zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Gashi, foli për përkushtimin e qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e institucioneve të një shteti funksional dhe demokratik, si dhe për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës.

Të pranishëm në këtë përvjetor ishin edhe një numër i diplomatëve të shteteve të ndryshme, të cilat akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.