Follow us on:

Zhvilloi punimet Konferenca ’’VIENNA ECONOMIC TALKS-MEET KOSOVO IN VIENNA”

Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri, në bashkëpunim me Forumin Ekonomik të Vjenës (FEV) dhe Nismën Ekonomike për Kosovën (ECIKS) organizoi konferencën dy ditore ’’VIENNA ECONOMIC TALKS-MEET KOSOVO IN VIENNA’’ në Vjenë të Austrisë.

Ky ishte një aktivitet i veçantë ekonomik në të cilin moren pjesë edhe një delegacion i lartë i Republikës së Kosovës, udhëhequr nga Kryeministri Hashim Thaçi. Në konferencë morën pjesë edhe Zv-Kryeministri i Parë - Behgjet Pacolli, Zv.-Kryeministrija dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë - Mimoza Kusari-Lila, Ministri i Zhvillimit Ekonomik - Besim Beqaj, Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor - Dardan Gashi, Ministër për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të  Komunikimit i Republikës së Sdhqipërisë - Genc Pollo, pastaj  edhe Zv. Ministrja e Bujqësisë e Republikës së Bullgarisë, Ambasadorja e Estonisë, Ambasadori i Shqipërisë dhe diplomatë të shumtë të vendeve të ndryshme  si dhe shumë sipërmarrës dhe përfaqësues nga kompanitë austriake të interesuara për të investuar në Kosovë. Nga pala austriake ishin edhe Presidenti i Forumit Ekonomik të Vjenës ish Zv. Kancelari Erhard Busek, Drejtori i Raifeisenbankës Herbert Stepic, pastaj Sekretarja e Pörgjithshme e FEË Ekonomik tö Vjenës Elena Kirtcheva dhe pörfaqësues të shumtë të ndërmarrjeve austriake.

Në fjalën e tij Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u bëri thirrje investitorëve të huaj që të vijnë Kosovë duke theksuar se ekonomia e Kosovës është e hapur dhe se institucionet kosovare i sigurojnë të gjithë investitorët e huaj për mundësi të barabarta në investime, transparencë të plotë, dhe lehtësira fiskale. Ai poashtu theksoi se ‘’për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe për qytetarët e saj, e në vecanti për komunitetin e biznesit, Forumi Ekonomik i Vjenës paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për të paraqitur të arriturat tona dhe potencialet tona ekonomike për investime të reja. Republika e Kosovës si çdo shtet tjetër, ende ka nevojë për investime serioze në të gjithë sektorët ekonomik. Në të njëjtën kohë, Republika e Kosovës ofron mundësi të shumta për investime. Kjo vlen si për investitorët vendorë ashtu edhe për investitorët e jashtëm’’.

Në fjalën e tij Ambasadori Kiqmari konstatoi se marrëdhëniet ndërshtetërore në mes të Republikës së Austrisë dhe Republikës së Kosovës janë të shkëlqyeshme duke thënë se “kurorëzimi i këtyre marrëdhënieve intensive bilaterale është takimi i sotëm i Kryeministrit Thaçi me Kancelarin Federal Werner Faymann.” Ai numëroi gjashtë Akte Bashkëpunimi të nënshkruara në mes të dy vendeve në tri vitet e fundit (Memorandumin Bashkëpunimi për Intensifikimin e Marrëdhënieve Bilaterale Ekonomike (2009); Marrëveshje Ndërshtetërore për Bashkëpunim Ndërpolicor (2009); Marrëveshje Ndërshtetërore për Bashkëpunim Zhvillimor (2009); Marrëveshje Ndërshtetërore për Nxitjen dhe Mbrojtjen e Investimeve (2010); Marrëveshje Ndërshtetërore për Pranimin e të Kthyerve (2010); dhe Memorandumin e Bashkëpunimit në fushën e Bujqësisë (2011) duke thënë se këto paraqesin bazë të mirë edhe për nxitjen e investimeve nga Austria në Kosovë.”

Në ditën e dytë të konferencës, e cila u mbajt me 25 tetor 2011 në sallën e madhe të Raiffeisen Bank në Vjenë, në adresimin e tij para pjesëmarrësve Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndër të tjera u fokusua në arsyet pse ia vlen të investohet në Republikën e Kosovës, ku ndër më të rëndësishmet përmendi:

o    Fuqia punëtore e re, entuziaste dhe e gatshme për të mësuar njohuri dhe shkathtësi të reja;
o    Pasuritë e shumta natyrore;
o    Procesi i privatizimit, i cili ofron mundësi direkte të investimit;
o    Kërkesa e lartë dhe në rritje e tregut;
o    Pozita gjeografike që mundëson qasje të lehtë në tregjet rajonale si dhe marrëveshjet për tregti të lirë dhe masat preferenciale të tregtisë me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës;
o    Politika fiskale e favorshme dhe përkushtimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes.

Me tej Kryeministri Thaçi  tha ’’Jam i sigurtë se pikëpamjet dhe përvojat që do të këmbejmë gjatë këtij forumi do t’iu shërbejnë shumë investitorëve potencialë të huaj për të kuptuar edhe më mirë mundësitë investuese që ofron shteti i ri i Kosovës. Kosova ka nevojë për investime përmbajtësore në të gjithë sektorët ekonomik. Po ashtu, Kosova ofron mundësi dhe përkrahje institucionale për investitorët. Prandaj, për t’u bindur për mundësitë e investimit në Kosovë si dhe për arsyet pse duhet të investohet në Kosovë ju ftoj që të vizitoni Kosovën, të takoheni me institucionet përkatëse, me shoqatat afariste, si dhe me biznese kosovare, ku do të informoheni në detaje për mundësitë.’’

Në panelet tjera dhe sesionet punuese, me prezentimet e tyre u paraqitën edhe zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, kompani të fuqishme austriake që tashmë janë prezente apo në shqyrtim e sipër të investimeve në Kosovë si dhe përfaqësues nga ndërmarrje të ndryshme kosovare apo të huaja të cilat sollën para pjesëmarrësve përvojat e tyre nga të bërit biznes në Kosovë.

Zv-Kryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari-Lila  në prezantimin e quajtur “Vizioni për një shoqëri të dinjitetshme evropiane me prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës” foli për qëllimet zhvillimore, caqet kryesore, çështjet kyçe ekonomike dhe fiskale, klimën për biznese në Kosovë, reformat që janë duke u zhvilluar, si dhe për sfidat që e presin Kosovën në të ardhmen.

Në fjalën e tij Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj foli për prioritetet e zhvillimit ekonomik dhe mundësitë për investime të huaja në të gjitha fushat e ekonomisë në Kosovë. Ministri Besim Beqaj ka potencuar se ’’Kosova krahasuar me vendet në rajon, ka politika të favorshme ekonomike të cilat inkurajojnë që investitorët të shqyrtojnë mundësitë dhe të përcaktohen për të investuar kapitalin e tyre në vend’’. Ministri Beqaj prezantoi edhe projektet si ai për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re si dhe procedurat për zonat me interes të veçantë në lëminë e minierave, për investime në prodhimin e energjisë se ripertritshme dhe prioritetet tjera në lëminë e zhvillimit ekonomik.

Konferenca ’’VIENNA ECONOMIC TALKS-MEET KOSOVO IN VIENNA’’ përfundoi punimet me fjalën përmbyllëse nga ish-Zv-Kancelari austriak dhe presidenti i FEV Erhard Busek dhe Zv-Kryeministri i Parë i Kosovës Behgjet Pacolli.

Në margjinat e kësaj konference u zhvilluan edhe takime bilaterale mes delegacioneve nga Kosova  dhe sipërmarrësve të huaj të interesuar për të investuar në Kosovë.