Follow us on:

U mbajt Java e Kulturës së Kosovës në Austri

Vjenë , 10 tetor 2011 - Në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Vjenë, përgjatë javës që shkoi, u organizua Java e Kulturës së Kosovës në Austri. Në kuadër të Javës së Kulturës, janë organizuar një varg manifestimesh kulturore, të cilat janë përcjell nga një numër i konsiderueshëm diplomatësh, artistësh austriakë, miq të Kosovës dhe bashkatdhetarë.

Të hënën, është bërë hapja solemne e Javës së Kulturës, kurse aktiviteti i parë ishte hapja e ekspozitës se piktorit, poetit dhe krijuesit kosovar, Sylë Mujaj.

Në fjalën e hapjes, Ambasadori i Kosovës në Austri, Sabri Kiqmari, ka thënë se qëllimi i kësaj Jave është përcjellja për opinionin publik austriak dhe rrethet e diplomatëve të vendeve tjera vlerat kulturore të Kosovës. “Opinioni publik këtu e njeh Kosovën kryesisht nga zhvillimet politike, kurse ajo që ne dëshirojmë t’i ofrojmë atij është ana e bukur e artit, letërsisë dhe muzikës së Kosovës”, tha Kiqmari. Lidhur me ekspozitën e piktorit Mujaj, Ambasadori i Kosovës në Austri ka thënë se ai i përket gjeneratës së studentëve kosovarë të vitit 1981, të cilët nuk u pajtuan me njëmendësinë e regjimit serb dhe i rezistuan censurimit të fjalës së lirë. “Veprat e tij artistike simbolizojnë vuajtjen nën robëri dhe dëshirën e flaktë për liri dhe dinjitet njerëzor“, tha Kiqmari.

Në këtë manifestim morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Nagip Skënderi, Zëvendës-Konsulli i Kosovës në Cyrih, Salih Sefa, përfaqësues të Qeverisë së Vjenës si dhe një numër i madh i intelektualëve dhe aktivistëve tanë në diasporë.

Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së, Nagip Skënderi ka deklaruar se miti që ka ekzistuar më parë po mënjanohet, pasi që figurat si z. Sylë Muja e dëshmojnë se Kosova nuk eksporton vetëm fuqi punëtore, por edhe piktorë e njerëz të artit, kulturës, shkencës e sportit. Skënderi ka përgëzuar z. Muja, duke konfirmuar mbështetjen e MPJ-së për aktivitete të tilla.

Ndërsa, piktori i njohur zviceran Pierre du Pasquier ka thënë se e ka njohur z. Sylë Muja në Lugano dhe se ai është një artist i shkëlqyeshëm. “Vlera e tij artistike është shumë e madhe“, tha du Pasquier.

Mbrëmja letrare me Rexhep Qosjen ka mbledhur një numër të konsiderueshëm intelektualësh nga Kosova dhe Austria, në mesin e të cilëve edhe Ambasadori Albert Rohan. Mysafir nderi dhe panelistë ishin edhe Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve të Austrisë, Sidonia Binder si dhe  kritiku letrar nga Kosova, Agim Vinca.
 
Në kumtesën e tij kritiku Agim Vinca, ndër të tjera nënvizoi se Akademik Rexhep Qosja është një studiues serioz i letërsisë që shkroi vepra emblematike, duke e vlerësuar lart rolin e tij në etablimin e shkencës albanologjike në Kosovë.

Studenti dhe poeti i ri Alban Beqiraj lexoi para të pranishmëve pjesë të zgjedhura nga romani i Rexhep Qosjes ‘‘Vdekja më vjen prej syve të tille‘‘, vepër kjo e përkthyer edhe në gjuhën gjermane.

Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve të Austrisë, Sidonia Binder, përshkroi Rexhep Qosjen si një ndër romancierët më të mirë të Kosovës. Ajo tha se bashkëpunimi me Kosovën në fushën e letërsisë në të ardhmen do të jetë edhe më intensiv, duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës për të vizituar Kosovën.

Në fjalën e tij, Akademik Rexhep Qosja foli për zhvillimin e letërsisë shqipe, duke potencuar faktin se letërsia shqipe ka pasur një zhvillim atipik. "Rilindja Kombëtare ka përgatitur terrenin për shpalljen e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar. Në anën tjetër letërsia shqipe mes dy luftërave botërore si dhe ajo e viteve të 50-ta e deri më sot simbolizohet me përpjekjet e autorëve shqiptarë për të sjellë frymën moderne në letërsi, të njëjtë si ajo që zhvillohej në pjesët tjera të botës”. Duke ju referuar të sotmes, Akademik Rexhep Qosja përmbylli adresimin e tij me fjalët ‘‘Kjo është kohë që nxit krijimin e veprave të mëdha‘‘.

Të martën, në një ndër pallatet me eminente në Vjenë, është mbajtur një Koncert i Muzikës Klasike me autorë shqiptarë dhe të huaj, në të cilin performuan pianistet e njohura kosovare Ardita Statovci dhe Lule Elezi, ndërsa me këngë nga opusi i gjerë i kompozitorëve të huaj dhe shqiptarë u paraqitën mexosopranoja Sanije Matoshi dhe tenori Faik Hondozi. Koncerti u përcoll nga shumë mysafirë, në mesin e të cilëve edhe diplomatë të huaj, si Ambasadori i Kolumbisë, Ekuadorit, Shqipërisë, Estonisë, zv. Ambasadori i SHBA-ve si dhe përfaqësues të misioneve diplomatike të Sllovenisë, Turqisë, Republikës Dominikane, Kroacisë, Maqedonisë etj.

Të enjten, është shpallur Ditë e Dyerve të Hapura të Ambasadës. Gjatë saj, shtetas të Kosovës dhe të huaj, arsimtarë dhe nxënës të shkollës shqipe si dhe një numër studentësh kanë vizituar ambientet e punës në Ambasadës dhe kanë zhvilluar biseda të ndryshme me personelin e saj. Ata janë pritur në takime të veçanta edhe nga Ambasadori Kiqmari.

Java e Kulturës së Kosovës në Austri u mbyll të dielën me një koncert të muzikës popullore, i përgatitur nga Shkolla e Vallëzimit Shqip “Shota” në Zvicër dhe Shoqatat “12 Qershori” e “17 Shkurti” nga Austria. Koncerti është përcjellë nga një numër i konsiderueshëm pjesëmarrësish.

Në fjalën përmbyllëse, Ambasadori Kiqmari e ka vlerësuar të suksesshme Javën e Kulturës së Kosovës në Austri. “Për një javë rresht artistët, shkrimtarët, studiuesit, instrumentistët dhe valltarët tanë kanë pasqyruar anën më të bukur të Kosovës - anën kulturore dhe artistike të saj”, tha Kiqmari, duke falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në mbarëvajtjen e Javës së Kulturës.