Follow us on:

Ambasadori Kiqmari viziton Landin e Tirolit - Takon Kryetarin e Landit të Tirolit Günther Platter

E mërkurë, 29 qershor 2011 - Në vazhdën e takimeve me kryetarët e landeve të Austrisë Ambasadori Kiqmari ka realizuar një takim mjaft të frytshëm me kryetarin e landit të Tirolit, z. Günter Platter. Takimi është mbajtur në lokalet e Qeverisë së Landit të Tirolit në Insbruck.

Ambasadori Kiqmari ka falënderuar z. Platter për ndihmën dhe kontributin që ka dhënë landi i Tirolit në Kosovë dhe e ka njoftuar atë për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë.

Z. Platter shprehu interesim të veçantë sidomos për zhvillimet në fushën e turizmit dhe të arsimit në Kosovë. Ai shprehu gadishmërinë që të krijohen mundësi për vende të reja pune, meqë Kosova është vend mjaft atraktiv për investime në fushën e turizmit. Poashtu, z. Platter u dakordua që një grup nga institucionet kosovare të turizmit të kenë mundësi të vijnë në Tirol dhe të përfitojnë nga përvoja austriake, të familjarizohen me strategjitë më të reja për tërheqjen e turistëve. Falë një përvoje të gjatë dhe konceptesh të reja, Tiroli është një nga vendet më të vizituara nga turistët në Austri, madje ka më shumë turistë sesa gjithë shteti i Greqisë.

Ambasadori Kiqmari i bëri ftesë z. Platter  që të realizojë një vizitë në Kosovë, ku me rastin e kësaj vizite të ketë mundësi t`i shoh nga afër vendet atraktive për turizëm. Kërkesën për një vizitë në Kosovë, z. Platter e mirëpriti dhe paraqiti dëshirën e tij që ky të jetë vetëm hapi i parë i bashkepunimit në mes të Landit të Tirolit dhe Kosovës.

Ambasadori Kiqmari ka takuar në Insbruck edhe Sekretarin e Përgjitshëm të Shoqatës së Industrialistëve të Landit të Tirolit Josef Lettenbichler, i cili njëkohësisht është edhe deputet në Parlamentin Nacional të Austrisë. Ambasadori Kiqmari e ka informuar z. Lettenbichler në lidhje me zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe mundësitë e investimeve në fushën e industrisë nga ndërmarrjet industriale të Tirolit. Z. Lettenbichler shprehu interesim për të mbështetur Kosovën në fushat e industrisë dhe e bujqësisë. Ai shprehu gatishmërinë  për të informuar industrialistët austriak nga Tiroli në lidhje me mundësitë e favorshme për investime. Poashtu, z. Lettenbichler premtoi së në takimet me ndërmarrjet dhe firmat e ndryshme do të prezentojë pasuritë nëntokësore të Kosovës.

Ambasadori Kiqmari ka zhvilluar një takim pune edhe me Drejtorin Egzekutiv të Shkollës Profesionale “Management Center Innsbruck” z. Andreas Altmann, me të cilin ka biseduar për  mundësitë e bashkëpunimit të institucioneve kosovare më këtë institucion, i cili është mjaft i specializuar në fushën e turizmit, mjedisit dhe energjisë.