Follow us on:

Ambasadori Pllana dhe ambasadori i Shqipërisë në Vjenë, Roland Bimo përkujtuar martirët e kombit shqiptar

Vjenë, 25 shtator 2020 - Ambasadori i Republikës së Kosovës në Vjenë, Lulzim Pllana së bashku me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Roland Bimo, kanë vizituar Memorialin e Republikës së Shqipërisë dhe Pllakën Përkujtimore të Republikës së Kosovës,të inauguruar para disa vitesh në murin e akuzës, në kujtim e respekt të viktimave të kombit shqiptar. Me këtë rast ata kanë përkujtuar me nderim e respekt sakrificën supreme të martirëve të kombit, viktima të mizorisë naziste, që humbën jetën në kampin famëkeq të përqendrimit në Mauthauzen.

Me mbishkrimin “Në kujtim të të gjithë të rënëve, viktima të mizorisë naziste dhe “I pa harruar kujtimi i shqiptarëve të rënë në kampet naziste“, në Memorialin e kampit në qendër të sheshit famëkeq të apelit, u vendosën kurora me lule në emër të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe atasheu policor i Republikës së Kosovës, kolonel Bekim Halilaj, si dhe studjuesi Hazir Mehemti, me eksperiencë e kontribut të veçantë në kërkime shumëvjeçare për shqiptarët e rënë në këtë kamp. Gjatë kësaj ceremonie të veçantë për shkak të kufizimeve të imponuara nga rregullat për frenimin e pandemisë, ambasadori Pllana dhe Bimo u shoqëruan nga Bernhard Muehleder, përgjegjës i seksionit të edukimit.