Follow us on:

Ambasadori Kiqmari mbajti ligjëratë në Institutin për Evangjelizëm

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Sabri Kiqmari ka mbajtur një ligjëratë në Institutin për Evangjelizëm dhe Institutin “CIFE” (the programmes of the Centre international de formation européenne), me temën: “Politika e fqinjësisë dhe e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe angazhimi i BE-së në Kosovë”.

Vjenë, 22 mars - Para një audience të madhe studentësh dhe stafit akademik të këtyre instituteve, Ambasador Kiqmari foli për politikat fqinjësore të Unionit Evropian në raportet me vendet për rreth Unionit, duke filluar nga Bjellorusia e deri tek Maroko, si dhe për objektivat e zgjerimit të UE-së në të ardhmen, duke vënë theks të veçantë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në ligjëratën e tij Ambasadori Kiqmari bëri një historik të angazhimit të BE-së në Kosovë që nga viti 1989 deri te zhvillimet në Kosovë, që kanë çuar deri te pavarësia, me theks të posaçëm në rolin e BE-së gjatë këtyre proceseve, e sidomos roli i shtuar pas vitit 1999.

Ambasador Kiqmari foli edhe për sfidat që Kosova po ndesh çdo ditë në procesin e paspavarësisë, duke u ndalur po ashtu edhe në sfidat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, si dhe përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për shtimin e numrit të njohjeve. Interesim të jashtëzakonshëm shfaqën studentët tek pesë vendet e BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Ligjërata e Ambasadorit Kiqmarit ngjalli interesim të madh tek studentët, çka u pa edhe në pyetjet e shumta që ata i parashtruan atij. Tematika e pyetjeve sillej jo vetëm rreth anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, por edhe rreth intervenimit të NATO-s në Kosovë, si një shembull i suksesit të bashkësisë ndërkombëtare dhe rreth bisedimeve për çështje teknike në mes Kosovës dhe Serbisë etj.