Follow us on:

Ambasadori Kiqmari viziton Landin e Voralbergut

Bregenz, 6 maj - Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Sabri Kiqmari, ka vizituar Landin e Voralbergut dhe ka zhvilluar një bisedë miqësore me kryetarin e Landit, Herbert Sausgruber.

Në takim, Ambasadori Kiqmari e ka njoftuar Sausgruberin për zhvillimet në Kosovë, për trendët e zhvillimit ekonomik dhe për rrugën e Republikës së Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ambasadori Kiqmari ka kërkuar mbështetjen e kryetarit të Landit të Voralbergut në rritjen e numrit të investimeve nga ky Land në Kosovë dhe për rritjen e shkëmbimeve kulturore në mes të institucioneve kulturore të Voralbergut dhe Kosovës.

Herbert Sausgruber ka çmuar lart nivelin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë. Ai ka shfaqur interesimin për thellimin e bashkëpunimit me Kosovën në fushën ekonomike dhe kulturore.

Sausgruber udhëheq një nga nëntë Landet (Republikat) e Austrisë.  Ai është kryetar i Partisë Popullore të Austrisë (ÖVP ) për Landin e Voralbergut dhe  udhëheqë Qeverinë e Landit që nga viti 1997.