Follow us on:

Ambasadori i Kosovës në Austri Dr. Sabri Kiqmari mbajti një ligjëratë në Akademinë Diplomatike të Vjenës

Vjenë, 14 prill 2011 – Ambasadori i Kosovës në Austri Dr. Sabri Kiqmari mbajti në Akademinë Diplomatike të Vjenës një ligjëratë të titulluar ,,Rruga e integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian’’.

Në fillim të fjalës së tij Ambasadori Kiqmari theksoi se „lëvizjet për pavarësi në Estoni, Letoni, Lituani, Slloveni dhe Kroaci kanë qenë lëvizje për liri. Synimi i tyre drejt integrimit në kuadrin e kombeve të lira të Bashkimit Evropian është vetëm një përfundim logjik i këtij orientimi drejt lirisë. Kjo gjë vlen saktësisht edhe për Republikën e Kosovës.”

Ambasadori Dr. Sabri Kiqmari në vazhdim paraqiti të dhëna për zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë, duke u fokusuar në përparimet e bëra përgjatë viteve të fundit, me theks të veçantë në integrimet evropiane si një prioritet shteteror.

Ligjërata u përcoll nga një numër i konsiderueshëm i diplomatëve, gazetarëve, studentëve, pjestarëve të diasporës shqiptare si dhe politikanëve vendës, ndër të cilët edhe ish-zëvendës  kryenegociatori i procesit të bisedimeve për statusin e Kosovës Ambasadori Alber Rohan dhe Ulrike Lunacek, raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën.

Kjo ligjeratë u realizua në bashkëpunim edhe me Institutin për Regjionin e Danubit dhe Evropës Qendrore (IDM) dhe Kreisky Institute.