Follow us on:

Ambasada e Kosovës në Austrisë shënoi Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Vjenë, 17 shkurt 2011- Me rastin e tre vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, të enjten, më 17 shkurt, Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri organizoi pritje për Korin Diplomatik. Në pritje morën pjesë një numër i madh përfaqësuesish të Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, përfaqësues të institucioneve shtetërore të Austrisë, ambasadorë të vendeve të ndryshme të akredituar në Austri, në Selinë e OSBE dhe në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Vjenë.

Pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të ndërmarrjeve austriake, udhëheqës të organizatave joqeveritare dhe një numër i bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Austri.

Para të pranishmëve, në fjalën e tij Ambasadori dr. Sabri Kiqmari foli për procesin e pavarësimit të Kosovës, të pranishmit i informoi lidhur me procesin e njohjes, duke iu kërkuar njohjen e Republikës së Kosovës shteteve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës dhe i ka cilësuar si shumë të mira marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë.

Me këtë rast, Ambasadori i Republikës së Kosovës Sabri Kiqmari u dekorua me “Medaljen Albert Schweitzer - për Shërbime Humanitare“ nga Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Austriake „Albert Schweitzer“.