Follow us on:

Ambasadori Ukelli hapi Jazz Koncertin e Rona Nishliut ‘Me Motivet Tona’

15 mars 2019 - Ambasadori i Republikës së Kosovës z. Sami Ukelli bëri hapjen e Jazz Koncertit të Rona Nishliut ‘Me Motivet Tona’, e cila për herë të parë performoi në Vjenë në një koncert live para publikut shqiptar dhe atij austriak.

Gjatë fjalës së hapjes Ambasadori Ukelli tha se pavarësisht që aktivitetet e tilla nuk janë lehtë të organizohen, pjesëmarrja e lartë dhe interesimi i madh për të marrë pjesë në këtë jazz koncert, është dëshmia më e mirë se ia ka vlejtur organizimi i këtij jazz koncerti kosovar, ngaqë të gjithë të pranishmit e veçanërisht publiku austriak u ndanë të kënaqur me performancën e Rona Nishliut. “Është hera e parë që organizojmë koncerte të jazz-it kosovar në Vjenë dhe kjo është një nga mënyrat e promovimit të artistëve dhe të kulturës tanë jashtë rajonit”, deklaroi ndër të tjera Ambasadori Ukelli.

 

Ambasadori Ukelli shtoi tutje se misioni diplomatik që ai drejton do të vazhdojë të mbetet edhe në të ardhmen një shtyllë e rëndësishme e organizimit dhe promovimit të kulturës së artistëve nga Republika e Kosovës, duke bërë që artistët kosovarë tashmë janë bërë storie suksesi në mbarë botën.


Këtë koncert e përshëndetën me një fjalë rasti z. Muhamet Selmani, Këshilltar Politik i ministrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike, dhe z. Ermal Vejsa, kryetar i Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri. I pranishëm ishte edhe ambasadori shqiptar z. Roland Bimo.


Koncerti i Rona Nishliut ‘Me Motivet Tona’ u organizua nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Këshillin Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri dhe Europa Haus Wien.