Follow us on:

Ambasadori Ukelli hapi sesionin informues 'Klima e Investimeve në Kosovë'

Vjenë, 22 shkurt 2019 – Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë ishte nikoqire e sesionit informues me temën “Klima e Investimeve në Kosovë” me qëllim të informimit të bizneseve kosovaro-austriake për mundësitë e investimeve në Kosovë.

Në fjalën e tij hyrëse, ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri z. Sami Ukelli foli për rëndësinë e organizimeve të tilla të rregullta në diasporë në mënyrë që bizneset shqiptare të informohen drejtpërdrejtë nga institucionet për modalitetet dhe procedurat që duhet të ndiqen në rast të interesimit për ndonjë investim në Kosovë.


Në këtë sesion informues morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve të ndryshme të Republikës së Kosovës siç janë KIESA, Ministria e Diasporës dhe e Investimeve Strategjike, Agjencia e Privatizimit të Kosovës, Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë, Dogana, Administrata Tatimore, Departamenti për Diplomaci Ekonomike i Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilët në mënyrë të detajuar prezantuan mundësitë e investimeve në fusha të ndryshme në Kosovë, nga këndvështrimi i tyre. Ky sesion u organizua në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Vjenë, si dhe Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Austri. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga bizneset shqiptare në Austri. Gjatë këtij sesioni pati një interesim te shtuar e pyetje të shumta të bizneseve shqiptare si për klimën e investimeve në Kosovë, ashtu edhe për koordinimin ndërinstitucional me qëllim të rritjes së investimeve nga Diaspora.