Follow us on:

Ambasadori Ukelli mori pjesë në hapjen e turneut të futbollit për nder të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Vjenë, 24 shkurt 2019 – Në një sallë sporti në Vjenë u mbajt turneu i futbollit i cili u organizua nga Liga Shqiptare e Futbollit në Austri për nder të 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, z. Sami Ukelli, në fjalën e tij uroi Ligën Shqiptare në Austri dhe lojtarët për turneun e organizuar dhe tha se aktivitete të tilla janë mjaft të qëlluara për të kujtuar rëndësinë dhe domethënien e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Shënimi i Pavarësisë së Kosovës ka kuptim edhe më shumë, kur pos aktiviteteve politike, diplomatike dhe ekonomike, organizohen edhe veprimtari të tilla sportive. Vetëm në këtë mënyrë arrijmë të çojmë përpara përpjekjet tona në konsolidimin e Republikës së Kosovës në të gjitha fushat, tha ndër të tjera Ambasadori Ukelli.


Perfaqësues të Ligës Shqiptare të Futbollit në Austri përshëndetën të pranishmit dhe falënderuan Ambasadorin Ukelli për prezencën dhe përkrahjen e vazhdueshme të misionit diplomatik që ai drejton ndaj aktiviteteve sportive në Austri. I pranishëm ishte edhe ambasadori shqiptar z. Roland Bimo.


Në këtë turne morën pjesë 20 ekipe nga mbarë Austria dhe ato fituese do të stolisen me medalet e përgatitura nga Liga Shqiptare e Futbollit në Austri.