Follow us on:

Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës vizitoi Austrinë

Vjenë, 11.02.2011- Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në krye me Kryetarin e Gjykatës, prof. dr. Enver Hasani, zhvilloi një vizitë zyrtare disaditëshe në Austri.

Në këtë kuadër pati takime të shumta me institucionet gjyqësore të vendit mikpritës. Delegacioni fillimisht u prit nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, dr. Gerhart Holzinger me bashkëpunëtorë e tij.

Në fokus të këtij takimi ishin shkëmbimi i përvojave dhe thellimi i bashkëpunimit me institucionet gjyqësore austriake, gjë që konsiderohet si shumë i vlefshëm për punën dhe zhvillimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Delegacioni nga Kosova po ashtu zhvilloi një takim të frytshëm edhe me kryetarin e Gjykatës Administrative të Austrisë, prof. dr. Clemens Jabloner, si dhe vizitoi edhe Pallatin e Drejtësisë si dhe Gjykatën e Lartë të Austrisë, në të cilat u prit nga udhëheqësit e këtyre dy institucioneve.

Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës u prit edhe nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Vjenë, dr. Sabri Kiqmari. Në kuadër të delegacionit ishin edhe gjykatësit: Altay Suroy, Snezhana Botusharova, Ivan Cukalovic si dhe sekretarja e përgjithshme, Arbëresha Shala.