Follow us on:

Ceremonia përkujtimore me rastin e 73 vjetorit të çlirimit të Kampit të Përqëndrimit Mauthausen

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, z. Sami Ukelli, kryesoi delegacionin Kosovar në ceremoninë përkujtimore të 73 vjetorit të çlirimit të Kampit të Përqëndrimit Mauthausen dhe me këtë rast zbuloi pllakën përkujtimore në Murin e Vajtimit dedikuar viktimave nga Kosova, të cilët kanë humbur jetën në këtë kamp.

Në ceremoninë e shpalosjes së pllakës përkujtimore, Ambasadori Ukelli, theksoi se me këtë shenjë të vogël simbolike shpreson që asnjëherë të mos përsëriten ngjarje të  tilla. Çlirimi i këtij kampi simbolizon edhe fundin e Luftes së Dytë Botërore, ku mbi 100 mijë njerëz kanë humbur jetën në ketë kamp. Në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore mori pjesë edhe Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Mauthausenit, Guy Dockendorf, si dhe Ambasadori Helmut Tichy nga Ministria e Jashtme e Austrisë.  

 

Në nderim të viktimave në Mathausen morën pjesë mijëra qytetarë nga mbarë Evropa, përfshirë edhe presidentin austriak Alexander Van der Bellen, kryeparlamentarin Wolfgang Sobotka kabinetin qeveritar në krye me kancelarin Sebastian Kurz, si dhe një numër të madh të misioneve diplomatike të akredituara në Austri.  

 

Delegacioni i Ambasadës së Republikës së Kosovës i kryesuar nga  Ambasadori Ukelli vendosi kurora lulesh në kompleksin qendror memorial dhe tek monumenti përkujtimor i Shqipërisë duke nderuar viktimat që humbën jetën kundër nacionalsocializmit.