Follow us on:

Ambasadori Ukelli priti deputetin e sapo zgjedhur të Parlamentit Evropian Lukas Mandl, njëherësh edhe kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austriake-Kosovare

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, z. Sami Ukelli, ka pritur në ambientet e ambasadës z. Lukas Mandl, deputet i sapo zgjedhur në Parlamentin Evropian (PE).

Gjatë takimit Ambasadori Ukelli uroi z. Mandl për detyrën e re, si dhe shprehu kënaqësinë që kryetari i Shoqatës së Miqësisë Austriake-Kosovare do të vazhdoj të jap kontributin e tij jo vetëm në Austri, por edhe në organin më të lartë legjislativ evropian. Ambasadori Ukelli tha se “me emërimin Tuaj Republika e Kosovës do të ketë edhe një zë më të fuqishëm në Parlamentin Evropian”, ngaqë z. Mandl do të jetë pjesë edhe e Delegacionit të Unionit Evropian për Marrëdhënie me Kosovën. Ambasadori Ukelli shtoi se zgjedhja e z. Mandl deputet në PE do t’i shtohet listës së mbështetësve të parlamentarëve austriakë dhe evropianë ndaj Republikës së Kosovës.

 

Nga ana e tij z. Mandl tha se ai do të vazhdoj të jap kontributin e tij për Republikën e Kosovës, si në nivelin nacional austriak, ashtu edhe në nivelin evropian. Euro-deputeti Mandl shprehu po ashtu përkushtimin e tij se aktivitetet e “Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë“ do të zgjerohen jo vetëm në Austri, por edhe në Bruksel, për të ndikuar në përshpejtimin e agjendës evropiane për Kosovën. Mandl tha se pjesë e agjendës së tij parlamentare do të mbetet avancimi i rrugës evropiane të Kosovës. Zgjedhja e z. Mandl erdhi pas emërimit të Elisabeth Köstinger, Ministre Federale e Bujqësisë, Pylltarisë, Mjedisit dhe Menaxhimit të Ujërave.


Në kuadër të kësaj vizite dhe të festave të fund vitit Ambasadori Ukelli i dhuroi z. Mandl fanellën e Përfaqësueses në Futboll të Republikës sëKosovës.