Follow us on:

Ambasadori Ukelli uroi kryetarin e Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë Lukas Mandl për zgjedhjen e tij deputet në Parlamentin Evropian

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, z. Sami Ukelli, ka uruar z. Lukas Mandl për zgjedhjen e tij deputet në Parlamentin Evropian (PE). Zgjedhja e z. Mandl erdhi pas emërimit të Elisabeth Köstinger për Kryetare të Parlamentit Austriak (Këshilli Kombëtar).

Në urimin e tij Ambasadori Ukelli tha se “zgjedhja e Lukas Mandl është një lajm i mirë për Evropën dhe Austrinë, por mbi të gjitha edhe për Republikën e Kosovës, pasi që z. Mandl do të vazhdojë të jap kontributin e tij për Republikën e Kosovën, duke qenë pjesë e Delegacionit të Unionit Evropian për Marrëdhënie me Kosovën. Zgjedhja e tij do të nënkuptoj për Republikën e Kosovës edhe një zë më të fuqishëm brenda PE. Deputetët austriakë në PE e sidomos znj. Ulrike Lunacek, raportuese e deri mëparshme PE për Kosovën, kanë qenë dhe mbesin një nga përkrahësit më të mëdhenj të Republikës së Kosovën në rrugën tonë evropiane”.

Mandl në maj të vitit 2016 ishte zgjedhur kryetar i "Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë", qëllimi i së cilës ishte dhe mbetet thellimi i raporteve të shkëlqyera bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë. Ambasadori Ukelli shtoi se “që nga ajo kohë 'Shoqata e Miqësisë Austri-Kosovë' në drejtimin e Lukas Mandl, ka organizuar një numër të madh të aktiviteteve, të cilat kanë ndikuar edhe më tutje rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona”. 

 

Mandl deri para pak kohësh ushtronte funksionin e deputetit të Landit Niederösterreich, ndërsa nga viti 2013 drejtonte Komisionin për Evropë të po të njëjtit Land. Nga viti 2015 ishte zëvendëskryetar i qytetit Gerasdorf, ndërsa nga viti 2010 deri më 2012 ishte Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Punëtoreve dhe Punonjësve (ÖAAB) dhe Organizatës së Punëmarrësve të Partisë Popullore Austriake (ÖVP).