Follow us on:

Dekorohet Dr. Alois Mock

Në Ambasadën e Kosovës në Vjenë, iu dha Medaljes e Arit për Paqe e Humanizëm ,Dr. Ibrahim Rugova”

Në një ambient solemn ku ishin prezent edhe diplomat tjerë të akredituar në Vjenë, në mesin e të cilëve edhe Dr.Albert Rohan, medaljen e ndau Dr. Sabri Kiqmari, ambasador i R. Kosovës në Austri, në emër të Presidentit në detyrë të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi.
 
Ambasadori Kiqmari, në fjalën e rastit tha se Dr. Alois Mock ishte një nga politikanët më popullor në Austri dhe përkrahës i fuqishëm i Kosovës para dhe pas pavarësisë. Ai dha një vizion të qartë në pozicionimin edhe të politikanëve pasues austriak, gjatë luftës, pas luftës, në rindërtimin e vendit, të pavarësisë dhe tani në rrugën tonë të integrimit. Ai e hapi rrugën e integrimit të Austrisë në Evropë (viti 1994) të cilën rrugë e synojmë ne tani. Pastaj z. Kiqmari iu referua disa citateve largpamëse të Dr.Mock-ut qe nga koha kur ishte zëvendës kancelar dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Austrisë Përndryshe
 
Kush është Alois Mock?
 
Alois Mock ishte njohës i mirë i rrethanave politike në Ballkan, Evropë e më gjerë. Qëndrimet e tij politike rreth ngjarjeve në vend dhe rajon ishin realiste dhe me vizion të qartë. Kjo u vërtetua nga qëndrimet e tij rreth problemeve të rajonit i cili po shkundej nga errësira komuniste dhe po futej në lojën e rrezikshme të nacionalizmit. Kështu ai u bë i popullarizuar tek shqiptarët, kroatet, boshnjakët e shumë popuj tjerë jo vetëm në kontinentin tonë.
 
Ai ishte politikan i guximshëm. Këtu vlen të përmendet fakti se ai ishte ministri i parë i jashtëm që e priti në takim Dr. Ibrahim Rugovën dhe e mbështeti pa rezervë në vazhdimësi Kosovën në forumet ndërkombëtare në të drejtën e saj për liri dhe mëvetësi. Dr. Mock është një ndër ndjekësit e tezës realiste në politiken ndërkombëtare dhe e cila hapi një perspektivë të re në analizën dhe zgjidhjen e problemeve në marrëdhëniet ndërkombëtare.
 
Dr. A. Mock lindi më 1934, studioi drejtësinë dhe u kyç në radhët Partisë Popullore të Austrisë (ÖVP) të cilën e udhëhoqi për një periudhë kur edhe mori detyrën e zëvendëskancelarit të Austrisë.  Ka një karrierë të gjatë politike duke filluar nga Ministër i Arsim, Zëvendëskancelar, Ministër i Punëve të Jashtme të Austrisë. Ishte President i Unionit Demokratik Evropian(EDU) dhe President i Unionit Internacional Demokratik (IDU). Ai është dekoruar nga 19 shtete, qe nga Argjentina e largët për meritat e tij në angazhimet politike që çmohen si vlera universale. Eshte i dekoruar edhe nga Presidenti i Shqipërisë me medaljen,,Nëna Terezë”. Allois Mock u dallua në sferën e integrimit evropian dhe me konceptet e tij realiste në fushën e politikës ndërkombëtare. Tani disa vite është i prekur nga ,,Sindromi i Parkinsonit” dhe jeton nën përkujdesjen e gruas së tij Znj. Ditha Mock në Vjenë.
 
Ky dekorim është njëri nga shumë aktivitet të organizuara nga ambasada e Kosovës në Vjenë. Tani e kompletuar me një personel të mjaftuar, ajo ka filluar edhe dhënien e pasaportave të Republikës së Kosovës. Kjo ishte e mirëpritur pasi që e ka lehtësuar pajisjen e mërgimtarëve tanë me dokumente udhëtimi. Personat e interesuar duhet që përmes letërnjoftimit ta vërtetojnë nënshtetësinë kosovare. Informatat mund të merren përmes internetit dhe telefonit përkatës.