Follow us on:

Mbahet konferencë për Kosovën në Vjenë

Në "Shtëpinë e BE" në Vjenë sot u mbajt konferenca për Kosovën e titulluar "Procesi i liberalizimit të vizave dhe rruga evropiane e Kosovës".

Fillimisht të pranishmit i përshëndeti udhëheqësi i përfaqësisë së Komisionit Evropian në Austri, Richard Kühnel, i cili vlerësoi rezultatet nga Raporti i Progresit dhe Studimi i Fizibilitetit për Kosovën duke konstatuar se Kosova është në rrugë të mirë drejt përafrimit të saj me BE. Paneli i parë u drejtua nga gazetari i së përditshmes vjeneze ‘‘Die Presse’’ Wieland Schneider dhe përbëhej nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Dr. Sabri Kiqmari, Ambasadori dhe drejtori i Seksionit Politik në Ministrinë për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropën të Austrisë, Jan Kickert dhe profesori i mirënjohur ndërkombëtar i shkencave politike, Prof. dr. Anton Pelinka. Në pamundësi për të qenë prezent në Vjenë (përmes videolidhjes nga Brukseli) në debat mori pjesë edhe deputetja e Parlamentit Evropian dhe njëkohësisht raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek. Në fillim të fjalës së tij, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Dr. Sabri Kiqmari, thekoi se kontakti i parë mes BE-së dhe Kosovës ndodhi në prill të vitit 1989, në të cilin vit Parlamenti Evropian miraton një rezolutë mbi gjendjen e rëndë politike dhe ekonomike mbi Kosovën menjëherë pas heqjes së autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Kontaktet do të pasojnë nga një vizitë e një delegacioni të parlamentarëve evropian, të cilët për herë të parë vizitojnë Kosovën si rezultat i veprimeve të dhunshme nga ana e qeverisë serbe dhe jugosllave. Më tutje Ambasador Kiqmari potencoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës u bë në mënyrë të koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare dhe njohja e menjëhershme e pavarësisë së saj nga shtetet më të fuqishme demokratike e vërteton më së miri këtë. Ambasador Kiqmari paraqiti tezën e tij, që shtetet e Ballkanit Perëndimor do të duhej që në bllok të anëtarësohen në BE, me qëllim të evitimit së mundësisë që një shtet të bllokonte aderimin e shtetit tjetër. Kjo tezë e Ambasador Kiqmarit mbi zgjerimin e ardhshëm të BE-së u prit me mjaft interesim nga të pranishmit.

Drejtori i Seksionit Politik në Ministrinë për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropën, Ambasadori Jan Kickert tha se BE nuk do të lejoj që të keqpërdoren marrëdhëniet fqinjësore mes vendeve të regjionit, ndërsa profesori i shkencave politike dhe njohës i mirënjohur i integrimeve evropiane, Anton Pelinka,  deklaroi se në politikën e zgjerimit po përdoren standarde të dyfishta. Në adresimin e saj, deputetja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek, pos tjerash, nënvizoi se Serbia assesi nuk do të duhej të pranohej në BE pa e njohur Kosovën.

Në panelin e dytë diskutuan Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, Ambasadori Albert Rohan dhe ish-Ambasadori i Maqedonisë në BE, Blerim Reka.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi foli për të arriturat e institucioneve të Kosovës në raport me kriteret e parashtruara nga BE, duke shprehur bindjen se kushtet teknike për liberalizmin e vizave pothuajse janë përmbushur. Duke folur për ‘‘Pakon e Ahtisaarit’’,  Ambasadori Albert Rohan tha se ajo lirisht mund të quhet edhe ‘‘Pakoja e OKB’’pasi që i tërë ky proces ka filluar me kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Ban Ki Moon, i cili ka mbështetur edhe dokumentin final në bazë të cilit Kosova ka shpallur pavarësinë.
Ish-Ambasadori i Maqedonisë në BE dhe njëkohësisht njohës i mirë i proceseve integruese, Prof. dr. Blerim Reka u fokusua në raportet bilaterale në mes të Kosovës dhe BE-së si dhe në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës. Ai apeloi tek pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë sa më parë, pasi që duke marrë këtë vendim ato do të kontribuonin për zhvillimin e paqes dhe stabilitetit në regjion.

Konferenca u zhvillua në gjuhën gjermane dhe angleze dhe u përcoll nga një numër i konsiderueshëm i ambasadorëve dhe diplomatëve të akredituar në Vjenë, gazetarëve, studentëve, pjesëtarëve të diasporës shqiptare si dhe politikanëve vendës.