Follow us on:

Mbrëmje letrare me Adem Demaçin

Vjenë, 3 nëntor 2012:-Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë u mbajt Mbrëmje Letrare me veprimtarin, publicistin, romancierin dhe kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Adem Demaçi.

Duke hapur këtë manifestim Ambasadori i Kosovës në Austri, Dr. Sabri Kiqmari, ndër të tjera, theksoi se Adem Demaçi ishte dhe mbetet intelektuali i shquar, romancieri, veprimtari, përfaqësuesi politik dhe simboli i rezistencës kombëtare për liri dhe pavarësi. Për angazhimin e tij për lirinë e Kosovës atij i është dhënë çmimi ’’Saharov’’ nga Parlamenti Evropian në vitin 1991. Ne aspektin letrar, Adem Demaçi njihet si një ndër romancierët më të mirë shqiptar. Prandaj është për tu përshëndetur botimi i kompletit prej 10 librave të tij në këtë vit jubilar për kombin shqiptar.

Më pas të pranishmëve ju drejtua Sidonia Gall, kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë, e cila duke vlerësuar lartë kontributin e Adem Demaçit në krijimtari bëri thirrje për institucionalizimin e bashkëpunimit mes Lidhjeve të Shkrimtarëve të Kosovës dhe Austrisë, duke shtuar se përkthimi i librave shqip-gjermanisht dhe anasjelltas do të kontribuonte në njohjen më të mirë të letërsisë së dy kombeve.

Studenti Alban Beqiraj lexoi fragmente nga romani i Adem Demaçit ’’Shkrumbnajë e dashuri’’, ndërsa Prof. Dr. Shyqri Galica paraqiti një kumtesë lidhur me veprën e tërësishme letrare të Adem Demaçit. Në këtë analizë u tha se ’’Vepra e Adem Demaçit sjell një mesazh të jashtëzakonshëm për lirinë. Është dashuria më e madhe e më dinjitoze e njeriut, i cili me të gjithë qenien i përkushtohet atdheut dhe bëhet sinonim i lirisë. Në të vërtetë, vepra e tij ngërthen një qasje moderne ndaj një përvoje të hidhur jetësore, e cila ndërtohet mbi filozofinë e qëndresës dhe dashurinë e njeriut për lirinë e atdheut’’.

Duke ju adresuar të pranishmëve, Adem Demaçi pasi paraqiti një kronologji të përpjekjeve për organizimin e forcave kombëtare në Kosovë që nga vitet 1960ta, si dhe nënvizoi se në rrugën e lirisë ai nuk ishte vetëm, por se me vete kishte dhe shume të tjerë, të cilët treguan gatishmëri për sakrificë për kombin dhe atdheun atëherë kur ajo ishte më se e nevojshme. Ai theksoi se e ndjen veten ushtar të popullit të tij, ndërsa veprimtarinë e tij letrare e karakterizoi si përpjekje për paraqitjen e realitetit objektiv në mënyrë artistike, ku personazhet nuk janë të imagjinuara por i përkasin jetës së përditshme dhe sfidave me të cilat janë përballur shqiptarët me shekuj.

Në përfundim të mbrëmjes letrare shkrimtari dhe simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi i dhuroi kompletin e parë të librave të tij Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Austri z. Sabri Kiqmari.