Follow us on:

Ambasadori Ukelli mori pjesë në hapjen solemne të Asociacionit të Studentëve dhe të Rinjve Shqiptarë në Austri

Vjenë, 26 prill 2015 – Rrjetëzimi i studentëve dhe i shoqatave të të rinjve shqiptarë në botë, strategji e cila buron nga Ligji mbi Diasporën dhe Mërgatën, ka filluar të shënoj edhe rezultatet e para me themelimin e rrjeteve për të rinjtë dhe studentë në diasporë.

Rrjeti i parë qe themeluar në nëntor të vitit të kaluar në Vjenë dhe pas përpjekjeve të vazhdueshme të studentëve erdhi deri themelimi i Asociacionit të Studentëve dhe të Rinjve Shqiptarë në Austri (AYSAA).

 

Sami Ukelli, Ambasador i Republikës së Kosovës në Austri, foli për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e krijimit të strukturave të tilla organizative të të rinjve dhe studentëve shqiptarë në Austri. Ukelli bëri thirrje që vijimi i studimeve të jetë prioritet i studentëve, ndërsa roli dhe puna e AYSAA të jetë në funksion të koordinimit të të rinjve dhe studentëve shqiptarë që jetojnë në diasporë dhe realizimit të projekteve në avancimin e tyre si dhe në shkëmbimin e përvojave akademike. “Dyert e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë të hapura për studentët shqiptarë. Me punën që po bëni sot dhe që do të bëni në të ardhmen, mund të shërbeni si ambasadorë të integrimit dhe të proklamimit të kulturës shqiptare në botë”, tha ndër të tjera Ambasadori Ukelli. 

 

Argjent Kokalla, kryetar i AYSAA foli për qëllimin e krijimit të rrjetit të studentëve dhe për synimet e asociacionit. Thellimi i kontakteve ndërmjet studentëve shqiptarë, marrja e informacioneve për studime në universitetet austriake, koordinimi dhe avancimi i pozitës së të rinjve shqiptarë, hartimi i projekteve në interes të të rinjve dhe studentëve që jetojnë në diasporë, dhe bashkëpunimi në projekte të ndryshme të cilat do të ndihmojnë në jetën e tyre akademike dhe shkencore do të mbeten prioritet i AYSAA, tha Kokalla.  

 

Lorik Pustia, Drejtor për Komunikim me Medie në Ministrinë e Diasporës, theksoi se organizimi i të rinjve dhe studentëve në formë institucionale është një projekt nga i cili priten rezultate të mëdha.  "Zëri i të rinjve tanë nga të gjitha trojet shqiptare, le të jetë një trysni ndaj institucioneve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni ashtu që politikat tona të drejtohen në integrimin sa më të madh, ndihmës dhe bashkëpunimit të ndersjellë. Rinia janë do të vazhdoj të jetë motor shtytës i proceseve integruese të kombit tonë".

 

Për rëndësinë e krijimit të të strukturave të tilla të të rinjve shqiptarë folën edhe Arten Hanku, Ministër-Këshilltar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, Fitim Nuhiu, Këshilltar në Misionin Permanent të Republikës së Maqedonisë pranë organizatave ndërkombëtare dhe Argtim Hani, anëtar i Unionit të Biznesit Shqiptar.

 

Madhështinë e këtij solemniteti, ku të pranishëm ishin një numër i madh i studentëve dhe të rinjve shqiptare, e paraqitën me performancën e tyre Rina Kaçinari dhe Mark Marku.