Follow us on:

Kosova dhe Shqipëria intensifikojnë bashkëpunimin për zhvillimin ekonomik dhe proceset integruese evropiane

Tiranë, 13 janar 2012 – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka filluar vizitën zyrtare dy ditore në Republikën e Shqipërisë.

Ministri Hoxhaj është pritur në takim nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.

Me këtë rast, Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur progresin që është arritur në Republikën e Kosovës si dhe marrëveshjen e nënshkruar të premten mes dy ministrave, Hoxhaj dhe Haxhinasto, në fushën e shërbimeve konsullore, bashkëpunim që sipas Berishës duhet të shtrihet në të gjitha nivelet e bashkëpunimit. “Duhet të kemi bashkëpunim më të madh ekonomik dhe tregtar”, potencoi Berisha.
Lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe paralajmërimet e ndryshme për protesta, Sali Berisha ka thënë se duhet të punohet maksimalisht për uljen e tensioneve.

“Duhet që maksimalisht t’i ulim tensionet në Kosovë. Kjo është në interes të Kosovës dhe ne do të mbështesim Kosovën në çdo formë dhe kudo”,  ka thënë ndër të tjera, Kryeministri Sali Berisha.
 
Ministri Enver Hoxhaj, ka falënderuar Kryeministrin Berisha për ndihmën që i ka dhënë Republikës së Kosovës në të gjitha nivelet. Hoxhaj tha se me Kryeministrin Berisha janë pajtuar që duhet të ketë një koordinim më të mirë në bashkëpunimin ekonomik, një shkëmbim më të fuqishëm tregtar, që të kemi një treg të lirë si në Shqipëri dhe në Kosovës si dhe më shumë investime të Shqipërisë në Kosovës dhe anasjelltas.  Hoxhaj, po ashtu ka bërë të ditur se gjatë bisedës me Kryeministrin Berisha është arritur pajtueshmëri e plotë që të krijohen grupe të veçanta që do të koordinojnë bashkëpunimin politik dhe ekonomik të dy vendeve.
 
Të premten, Ministri Enver Hoxhaj është takuar edhe me homologun Edmond Haxhinasto, takim pas të cilit, dy ministrat kanë nën nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës në Fushën e Përfaqësimit Konsullor.
 
Pas takimit, dy ministrat kanë mbajtur një konferencë për gazetarë.

Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e përfaqësimit konsullor

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto ka bërë të ditur detajet e marrëveshjes së nënshkruar, e cila, siç tha ai, është njëra nga 75 marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.  “Marrëveshja e sotme do të jetë në funksion të shërbimeve konsullore për të dy shtetet. Një model që sot funksion në mes shumë shteteve të botës, me qëllim që t’i shkojmë sa më pranë qytetarëve tanë, të Republikës së Kosovës edhe të Shqipërisë, sigurisht në ato vende ku Kosova ka përfaqësitë e saj diplomatike”, tha Haxhinasto. Ai po ashtu bëri të ditur se gjatë takimit me Ministrin Hoxhaj është biseduar për progresin që ka bërë Kosova. “Ne e shohim me admirim atë progres, sidomos në drejtim të konsolidimit institucional, në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe në drejtim të krijimit të një shoqërie multietnike, në formën e një shoqërie evropiane, ku respektohen të gjitha të drejtat e komuniteteve”, tha Haxhinasto.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim të shkëlqyer politik, ekonomik dhe kulturor, duke shtuar se për Republikën e Kosovës është shumë e rëndësishme që ky bashkëpunim të jetë edhe më i koordinuar sidomos në këtë vit në të cilin shënohet edhe përvjetori jubilar i pavarësisë së Shqipërisë.

Lidhur me marrëveshjen e nënshkruar, Ministri Hoxhaj ka thënë se ajo do të ketë rol kyc për bashkëpunimin në fushën konsullore. “Një marrëveshje të tillë ne do të nënshkruajmë edhe me vendet tjera rajonit, meqë vendi i Republikës së Kosovës është në rajon dhe fqinjësia e mirë është shumë kyçe për ne”, tha Ministri Hoxhaj.

Komision i përbashkët për bashkëpunim ekonomik

Ministri Haxhinasto ka thënë se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës tashmë përbëjnë një model të shkëlqyer bashkëpunimi, i cili shtrihet në të gjitha fushat e marrëdhënieve me fokus të veçantë në bashkëpunimin ekonomik. “Kemi rënë dakord që të mbledhim sa më parë një komision të përbashkët për bashkëpunim ekonomik, i cili do të drejtoj dhe hartoj të gjitha ato çështje të rëndësishme që të kemi një volum më të madh ekonomik mes dy vendeve, në funksion të përdorimit të resurseve, të infrastrukturës së përbashkët si dhe për ta shfrytëzuar tregun, i cili është gjithashtu i rëndësishëm”, tha Haxhinasto.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria do të kenë një bashkëpunim shumë më të mirë ekonomik.  Ai ka thënë se tregjet tona duhet të jenë më të integruara, duke sqaruar edhe dakordimin për krijimin e komisioneve të përbashkëta për çështje të ekonomisë, investimeve dhe të legjislacionit.

Shqipëria mbështet progresin në Kosovë


Sa i takon zhvillimeve politike në Kosovë, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, ka shprehur  mbështetje e plotë për Qeverinë e Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, duke kërkuar që këto marrëveshje të zbatohen.

Lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës, Haxhinasto ka thënë se Plani i Ahtisaarit është e vetmja alternativë që duhet ndjekur. Ai tha se të gjitha shtetet evropiane duhet të flasin me një zë të fortë, të qartë dhe unik sa i takon kësaj çështje, pasi që Plani Ahtisaari është rruga e duhur për të arritur standardet e bashkëjetesës.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, po ashtu ka veçuar intensifikimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e legjislacionit, në proceset e përbashkëta integruese evropiane si dhe ka ritheksuar mbështetjen e Shqipërisë në rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën. “Ne kemi një agjendë të përbashkët për këtë qëllim”, tha Edmond Haxhinasto.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka falënderuar Ministrin Haxhinasto për mbështetjen e fuqishme që Shqipëria i ka dhënë Kosovës gjatë vitit 2011 në përmbylljen e procesit të njohjeve.

“Gjatë vitit 2011 kemi pas një progres shumë të matshëm, që ka qenë progres edhe i Kosovës edhe i Shqipërisë në politikën e jashtme. Gjatë këtij viti ne presim që të ketë edhe disa shtete që do ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Ministri Hoxhaj, duke theksuar se deri tani ka ekzistuar një koordinim shumë i mirë për të gjitha çështjet mes dy shteteve.

Hoxhaj ka theksuar edhe nevojën për bashkëpunim të mëtutjeshëm mes dy shteteve në proceset integruese evropiane. “Unë e përgëzoj për suksesin që ka arritur Shqipëria në vitet e fundit. Kosova pret që këtë vit të ketë një kthesë në liberalizimin e vizave”, tha Hoxhaj, duke shprehur bindjen se në këtë rrugë Kosova do të ketë mbështetjen e Shqipërisë.

Gjatë të premtes, Ministri Hoxhaj do të zhvilloj takime edhe me Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, Kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe me personalitete te tjera të jetës politike dhe akademike në Tiranë.