Follow us on:

Përkujtohet 20-vjetori i epopesë së UÇK-së, Adem Jashari

Tiranë, 5 mars 2018- Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të Luftës-Dega në Tiranë, me rastin e 20 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, organizuan një akademi përkujtimore.

Në këtë akademi morën pjesë personalitete të larta nga Kosova dhe Shqipëria. I pranishëm ishte edhe baca Rifat Jashari, vëllai i komandantit Adem Jashari.

Në fjalën e tij, I Ngarkuari me Pune i Ambasadës së Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, theksoi se, kur shënojmë 20 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa asnjë ekzagjerim, mund të themi se UÇK paraqet formacionin politik dhe ushtarak më të organizuar dhe më të konsoliduar të shqiptarëve të Kosovës, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

“Pikërisht kjo luftë e madhe e UÇK-së, kjo sakrificë e madhe e familjes Jashari, e cila mbetet rast unik i flijimit, bëri që në marsin e radhës, më 1999, vendet demokratike të NATO-s të intervenojnë ushtarakisht në luftën e Kosovës. Ky intervenim pa dyshim paraqet momentin e ri në zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare vetëm 10 vite pas përfundimit të Luftës së Ftohtë Lindje-Perëndim”. Më tej Ukshini shtoi se “UÇK është historia jonë, është lufta jonë, është sakrifica jonë. Është kujtesa jonë, është krenaria jonë, është referenca jonë, është frymëzimi jonë dhe mbi të gjitha, është busulla jonë në rrugëtimin e konsolidimit të shtetit tonë të brendshëm dhe ndërkombëtar”, tha Ukshini.

”Emri, vepra dhe lufta e madhe Adem e Hamzë Jashari dhe i gjithë familjes Jashari do të mbetet pikë referimi për historinë tonë, si moment i zgjimit dhe i vënies së themeleve të forta të shtetësisë sonë. Sakrifica e tyre ndryshoi dinamikën e zhvillimeve politike dhe ushtarake në Kosovë. Ndryshoi edhe qëndrimin ndërkombëtar për Kosovën. Sakrifica e tyre ndryshoi historinë e Kosovës, ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë dhe përreth Kosovën. Kjo trashëgimi historike është një vlerë e veçantë, është vlerë fisnike edhe për historinë më të re të Kosovës; ajo është pjesë e kujtesës sonë historike dhe e identitetit tonë evropian, është themeli i shtetësisë së Kosovës dhe është frymëzimi ynë. Ndaj, UÇK është historia jonë, është lufta jonë, është sakrifica jonë. Është kujtesa jonë është krenari jonë, është referenca jonë, është frymëzimi jonë dhe mbi të gjitha është busulla jonë në rrugëtimin e konsolidimit të shtetit tonë të brendshëm dhe ndërkombëtar”, tha Ukshini.

Në vazhdim në këtë akademi ka folur edhe Sokol Poga, Kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega Tiranë, i cili ka vlerësuar figurën historike dhe kontributin e komandantit Adem Jashari.

Në qëndresën heroike të 5,6 dhe 7 marsit 1998, komandanti legjendar Adem Jashari bëri qëndresën e pashembullt, e cila nuk mbahet mend në historinë e njerëzimit. 56 varre u hapën në Prekazin legjendar, për t’u bërë përjetësisht udhërrëfyes të historisë dhe të së ardhmes së Kosovës së shtrenjtë.