Follow us on:

Ngarkuarin me Punë në Ambasadës së Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini takon kryeprokuroren shqiptare, znj.Arta Marku

Tiranë, 21 shkurt 2018 - Shqipëria dhe Kosova priren të shtojnë bashkëpunimin në luftë kundër krimit të organizuar dhe zgjidhjen e problematikave që dalin në një kohë të lëvizjes së lirë të shtetasve në të dy vendet. Kjo ishte temë e bisedës në takimin e kortezisë mes Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, znj.Arta Marku dhe z.Sylë Ukshini, i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë.

Zonja Marku theksoi se e çmonte shumë bashkërendimin e punës me Republikën e Kosovës, duke i dhënë përparësi çdo problematike të adresuar nga autoritetet përkatëse.

Kryeprokurorja Marku theksoi gjithashtu se në Shqipëri përparësi madhore ka zbatimi sa më i mirë dhe efikas i Reformës në Drejtësi dhe veçanërisht rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve, procesi i “Vetting”-ut.

“Vetting”-u është shumë i rëndësishëm, - theksoi Prokurorja e Përgjithshme Marku, - për të përfunduar sa më shpejt me listën përparësore të gjyqtarëve, prokurorëve dhe inspektorëve të drejtësisë që do të hapë rrugën e krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor”.

Prokurorja e Përgjithshme shtoi gjithashtu se në luftën kundër veprave që përfshihen në krimin e organizuar, janë në fuqi marrëveshje të ndryshme, si dhe e miratuara së fundmi me ministrinë e Brendshme, për krijimin e grupeve të posaçme në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” me prokurorë që caktohen pas verifikimit nga institucionet.

Z.Ukshini shpjegoi ndërkaq se sistemi i drejtësisë në Kosovë është ndërthurje e praktikave ligjore më të mira ndërkombëtare.