Follow us on:

Fjala përshëndetëse e shefit të Misionit, Sylë Ukshini, me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës

Shumë të nderuar zonja dhe zotërinj, është një kënaqësi e veçantë për mua t’Ju uroj mirëseardhjen në këtë ditë të shënuar për Kosovën, të 10 vjetorit të Pavarësisë!

Në mënyrë të veçantë kam kënaqësinë të përshëndes Presidentin e Republikës, Shkëlqesinë e Tij, z. Ilir Meta, dhe Kryetarin e Kuvendit, z. Gramoz Ruçi. Gjithashtu përzemërsisht uroj mirëseardhjen anëtarëve të Kabinetit Qeveritar, liderëve të të gjitha partive politike, deputetëve të Kuvendit, ish -presidentëve dhe ish-kryeministrave të Shqipërisë. Kam kënaqësinë e veçantë të përshëndes po ashtu përfaqësues të komuniteteve fetare dhe të Trupit Diplomatik.

10 vjet më parë, më 17 shkurt 2008 , Republika e Kosovës vulosi të ardhmen e saj, duke e përmbyllur një rrugë të gjatë e me plotë sakrifica për liri dhe pavarësi.

Pavarësia e Kosovës ndodhi vetëm 9 vjet pas intervenimit ushtarak të vendeve demokratike të NATO-s. Ishte kjo beteja më e madhe për mbrojtjen e të drejta e njeriut në rrethanat e reja pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Ky intervenimi i Perëndimit parandaloi gjenocidin dhe pamundësoi jetësimin e idesë së spastrimin etnik të Kosovës. Po ashtu, ky intervenim i NATO-s hapi edhe rrugën për adresimin e statusit përfundimtar, të pavarësisë së Kosovës.

Ishte ky momenti kur hartës ës Evropës iu shtua edhe një shtet i ri. Ishte e qartë për shumicën se pavarësia e Kosovën nuk mund të evitohej më tej, ajo ishte shansi i fundit dhe vetëm.

Sot, në këtë jubile të veçantë për shtetin e Kosovës, si edhe në përvjetorët që ikën, ndiejmë obligim të bëjmë nderime dhe homazhe për njerëzit e lirisë, për ata që mposhtën errësirën dhe për ata që bënë kthesë historike për të ardhmen evropiane të Kosovës.

Në këtë jubile është me rëndësi të kujtojmë, por edhe të falënderojmë, për mbështetjen e madhe të partnerëve tanë strategjikë, Shqipërisë, SHBA-ve dhe vendet anëtare të BE-së, dhe të gjitha vende tjera anekënd globit.

Ky Jubile është i veçantë për Kosovën sepse përkon edhe vitin mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut, që vazhdon të shfaqet si simbol i frymëzimi për mbarë kombin tonë.

Zonja dhe zotërinj
Kosova dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të veçantë, për shkak të historisë, kulturës dhe gjuhës së përbashkët, por jo vetëm kaq, dy shtete tona kanë një cak të përbashkët, integrimi euro-atlantik.

Si aleati ynë i natyrshëm dhe strategjik, Shqipëria ka qenë mbështetësja jonë permanente dhe me dekada në procesin e shtetformimit.

Ne vlerësojmë angazhimin e diplomacisë shqiptare për integrimin e plotë të Kosovës në sistemin ndërkombëtar.

Prizreni, qyteti që për ne simbolizon pikëtakimin e përpjekjeve të gjata historike e shtetëformuese dhe qytetin e bashkëjetesës fetare dhe etnike, ishte vendi ku qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë, në janar të vitit 2014-ës firmosën Deklaratën e Përbashkët për Bashkëpunim dhe Partneritet Strategjik. Ky dokument materializoi angazhimin e ndërsjellë dhe afatgjatë për shndërrimin e marrëdhënieve tona bilaterale në një model të ri rajonal.

Integrimi rajonal
Zonja dhe zotërinj
Kosova dhe Shqipëria janë po ashtu dy aktorë rajonal të rëndësishëm dhe konstruktiv. Dy vendet tona, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, po vazhdojmë t’i japim impulse bashkëpunimit rajonal dhe të gjitha projekteve në kuadër Procesit të Berlinit, proces ky i lancuar nga kancelaria gjermane Angela Merkel.

Në këtë frymë është edhe deklarata e sotme e firmosur midis Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentit malazez Filip Vujanoviç për demarkacionin e kufirit. Kjo deklaratë konfirmon edhe një herë se Kosova dhe Mali i Zi janë dy shtete mike dhe aleat në rrugën e integrimit euro-atlantik. Kjo sjellje konstruktive e Malit të Zi meriton një falënderim dhe mirënjohje. Nga ky moment Kosova po përmbushë kushtin e fundit për liberalizimin e vizave. Në këtë mënyrë ne do bëhemi pjesë e lëvizjes së lirë në hapësirën shëngen të BE-së, ndërsa BE brenda vetes do të pranojë edhe dy milionë evropian të rinj.

Nuk është e tepërt të nënvizojmë se në këtë proces një impenjim dhe kontribut të madh ka dhënë edhe shteti shqiptar, dhe veçanërisht Presidenti Meta.

Qeveria e Kosovës e ka mirëpritur publikimin së fundi të Strategjinë për Ballkanin Perëndimorë të Komisionit Evropian dhe përcaktimin e afateve të mundshme të anëtarësimit të këtyre vendeve në BE. Por, Kosova dëshiron të ketë më shumë qartësi dhe afate kohore të njëjta kohore të integrimit, sepse vetëm një Ballkan i evropianizuar paraqet suksese edhe për BE-në.

Për aq kohë sa nuk ndodhë kjo, BE nuk mund të luaj rol të rëndësishëm në pjesë tjera të botës. Ish-Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtëm të BE-së, Catherine Ashton, me 10 mars 2010, në një fjalim para Parlamentit Evropian deklaroi: „Në njëfarë kuptimi, Ballkani është vendlindja e politikës së jashtme të BE. Sidomos këtu nuk guxojmë të lejojmë dështimin.“

Duke falënderuar edhe partnerët dhe sponsorët shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, me rastin e festes tone Ambasada ka përgatitur një programi: koncert te muzikës Klasike me krijues nga Kosova, pastaj ekspozitën me fotografi te Eliza Hoxhes dhe me date 22 shkurt ne bashkëpunimin me Akademinë e Filmit “Marubi”, do shfaqim filmin kosovar “SHOK”, një film i nominuar edhe për çmimin OSCAR. Përmes këtij programi synojmë që publikut shqiptarë dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në Shqipëri t’u ofrojmë një pjesë të veprave të krijuesve të rinj kosovarë, të cilat kanë tërhequr vëmendjen edhe të publikut ndërkombëtar. Shpresojmë se do të jeni me ne dhe do t`i ndiqni aktivitetet tona që do të zhvillohen në Tiranë gjatë ditëve ne vijim.

Para se t’ia kaloj fjalën Presidentit të Republikës z. Ilir Meta më lejoni të ngre gotën me të gjithë ju për ditëlindjen e 10-të të pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe për marrëdhëniet tona vëllazërore e strategjike, si dhe për të ardhmen tonë të përbashkët në Evropë.