Follow us on:

Ambasadori i Çekisë Ludva vizitë në Ambasadën e Kosovës

Tiranë, 3 korrik 2017 - I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, ka pritur në një takim të veçantë ambasadorin çek, Jaroslav Ludva.

Në këtë takim të zhvilluar në ambientet e Ambasadës së Kosovës, Ukshini dhe Ludva kanë biseduar për raportet bilaterale midis dy vendeve, për zhvillimet e fundit në Kosovë, në Shqipëri dhe rajon, si dhe për Procesin e Berlinit.

Në këtë takim ambasadori çek ka nënvizuar kontributin e Çekisë për ngritjen dhe funksionalizimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, selia e të cilit është në Tiranë, si dhe përkushtimin e Pragës zyrtare për integrimet evropiane të rajonit. Në këtë kontekst, ambasadori Ludva ka vënë në dukje se disa vjet më parë, vendet anëtare të Grupit të Vishegradit (V4) vendosën të përdornin ndikimin e tyre kolektiv, si anëtarë të rinj e të suksesshëm të BE-së, për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor të transformohet në një rajon të vërtetë në aspektin politik, ekonomik dhe atë të sigurisë.

Po ashtu, në takim me Ukshinin, ambasadorin i çek ka ripërsëritur mbështetjen e vendit të tij për procesin e integrimit evropian të Kosovës, liberalizimin e vizave dhe pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale.

Duke u ndalur rreth aktiviteteve në kuadrin e Procesit të Berlinit, Ukshini dhe Ludva kanë biseduar edhe për pritjet e vendeve të rajonit nga samiti i radhës në Trieste të Italisë, duke ndarë mendimi se Procesi i Berlinit i ka dhënë një shtytje të fuqishme bashkëpunimit rajonal dhe i ka hapur rrugën projekteve që do të zhvillojnë ekonomitë e vendeve të rajonit dhe integrimit evropian.