Follow us on:

Ukshini takon ambasadorin austriak Johan Sattler

Tiranë, 07 qershor 2017 - I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini ka takuar ambasadorin austriak, Johan Sattler.

Në fokus të këtij takimi ka qenë tema e mbarëvajtjes të procesit zgjedhor në Kosovës dhe në Shqipëri, zhvillimet në rajon, procesi i liberalizimit të vizave dhe dialogu Kosovë –Serbi.

Fillimisht, Ukshini ka shprehur kondolencën e tij për vdekjen e ish-ministrit të Jashtëm austriak, Alois Mock, i cili konsiderohet një nga figurat më të shquara të skenës politike austriake për angazhimin e tij pro-evropian dhe për përkrahjen e tij në favor të kauzës së Kosovës në vitet 90-ta të shekullit të kaluar.

Të dy bashkëbiseduesit kanë ndarë mendimin se procesi i integrimit rajonal dhe evropian, që ka marrë shtytje me Procesin e Berlinit, duhet të intensifikohet edhe më tej dhe se anëtarësimi në BE dhe në NATO është përgjigja më e mirë ndaj çdo tendence për ta mbajtur rajonin të mbërthyer në të kaluarën.

Duke folur për procesin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës, Ukshini ka nënvizuar vendosmërinë e lidershipit kosovarë për të realizuar reformat dhe kushtet e nevojshme, në mënyrë që procesi i liberalizimit të vizave të ndodhë në një të ardhme sa më të afërt.

Ukshini dhe Sattler gjithashtu kanë vlerësuar lart nivelin e marrëdhëniet bilaterale midis Kosovës dhe Austrisë.