Follow us on:

Ministrat e jashtëm të Evropës Juglindore, në bllok kundër terrorizmit

Tiranë, 24 shkurt 2015 – Ka përfunduar samiti i ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore, ku është diskutuar për bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë. Ministrat e jashtëm të shteteve të rajonit kanë dënuar të gjitha aktet, metodat dhe praktikat e terrorizmit dhe kanë riafirmuar vendosmërinë për të luftuar terrorizmin në të gjitha format dhe manifestimet e tij.

Ata kanë shprehur mbështetje për Koalicionin Global kundër terrorizmit dhe janë zotuar për forcimin e bashkëpunimit përmes mekanizmave të duhur me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë për të parandaluar aktet terroriste.

Deklarata e përbashkët e SEECP kundër terrorizmit

Ne, Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në SEECP, të takuar në Tiranë më 24 shkurt 2015, në prani të përfaqësuesve të Presidencës së Letonisë në BE, Komisionit Evropian, Austrisë dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Duke ditur se terrorizmi përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë, Evropë dhe në pjesën tjetër të botës, si dhe duke u zotuar për të bashkuar forcat tona për të luftuar kundër terrorizmit, siç është demonstruar së fundmi nga ngjarjet tragjike në Paris;

Të ndërgjegjshëm se terrorizmi përbën një pengesë serioze për gëzimin e plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut;

Duke kujtuar deklaratat dhe rezolutat për anti-terrorizmin në kuadër të: OKB, OSBE, Këshillit të Evropës, BE dhe NATO;

Duke shprehur solidaritetin tonë të përzemërt për viktimat e terrorizmit;

Të shqetësuar për përhapjen e fenomenit të luftëtarëve të huaj terroristë dhe qelizave terroriste në Evropë dhe tjetërkund;

Ramë dakord për:

1.  Fuqimisht dënojmë të gjitha aktet, metodat dhe praktikat e terrorizmit dhe riafirmojmë vendosmërinë tonë për të luftuar terrorizmin në të gjitha format dhe manifestimet e saj.

2. Fuqimisht dënojmë aktet e tmerrshme terroriste dhe mizoritë e kryera nga ISIL/DAESH dhe organizatave të tjera terroriste, si dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare.

3. Theksojmë se terrorizmi nuk ka justifikim, në çfarëdo motivimi ose origjine të saj, nuk mund dhe nuk duhet të jetë i lidhur me ndonjë kombësi të caktuar, fe apo grup etnik.

4. Shprehim bindjen e plotë se kërcënimet dhe sfidat e përbashkëta kërkojnë përgjigjet dhe veprimet e përbashkëta.

5. Riafirmojmë përkushtimin tonë për të intensifikuar bashkëpunimin për luftën kundër terrorizmit dhe për të adresuar fenomenin e luftëtarëve të huaj terroristë, me përpjekje të koordinuara në të gjitha fushat relevante.

6. Kërkojmë nga RCC të punojmë në përgatitjen e një platforme të bashkëpunimit rajonal që do të sjellë së bashku të gjitha palët e interesuara kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare me qëllim të zhvillimit të një qasje të përbashkët për çështjen e terrorizmit dhe luftëtarëve të huaj terroristë.

7. Shprehim mbështetje për Koalicionin Global kundër terrorizmit dhe zotohemi për forcimin e bashkëpunimit përmes të gjithë mekanizmave të duhur me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë për të parandaluar dhe kundërvënë akteve terroriste.

8. Shprehim shqetësimin tonë të rëndë për shkallëzimin e kërcënimeve terroriste, në pjesë të caktuara të pjesës jugore të Evropës, duke bërë thirrje për zgjidhje të mirëfillta politike dhe duke adresuar rrënjët kryesore të paqëndrueshmërisë dhe ekstremizmit.

9. Përsërisim se lufta kundër terrorizmit është një çështje shumëdimensionale, jo vetëm një çështje e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare, të drejtësisë dhe inteligjencës; Riafirmojmë vullnetin tonë të fuqishëm për të rritur më tej bashkëpunimin rajonal për forcimin e sundimit të ligjit dhe për zbatimin e politikave që nxisin zhvillimin ekonomik, të rinjtë, arsimin, mundësitë e barabarta, qasje të barabartë në shëndetësi dhe në tregun e punës.

10. Fuqishëm të nxisim tolerancën fetare dhe bashkëjetesën si kontributet e drejtpërdrejta për demokratizimin, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe parandalimin e radikalizimit dhe veprimeve ekstremiste.